Paris, 12 tetor – Ministria franceze e Punëve të Jashtme sot kumtoi se ka kërkuar nga autoritetet saudite të ofrojnë përgjigje transparente dhe të hollësishme për fatin e gazzetarit Xhamal Kashogi, i cili u zhduk pas vizitës në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll para më shumë se një jave.
“Zhdukja e Xhamal Kashogit në Stamboll ngriti çështje serioze për fatin e tij”, tha zëdhënësja e MPJ-së franceze Anjes von der Mil. Ajo shtoi se Franca kërkon të konfirmohen në mënyrë të qartë faktet dhe kërkoi të gjithë të cilët mund të kontribuojnë për ndriçimin e rastit, ta bëjnë atë.
“Kjo është porosia të cilën ia transmetuam autoriteteve saudite”, potencoi ajo. Ndërkohë, një delegacion nga Arabia Saudite arriti në Turqi për shkak të hetimit për gazetarin e zhdukur saudit.
Siç lajmëroi agjencia turke e lajmeve Anadollu, anëtarët e delegacioneve do të bisedojnë me përfaqësuesit turq gjatë fundjavës.
Zëdhënësi i presidentit turk, Ibrahim Kalan dje paralajmëroi se Turqia dhe Arabia Saudite do të formojnë “grup tëp përbashkët pune” për ta hetuar zhdukjen e Kashogit.
Kashogi (59) u zhduk më 2 tetor pasi që hyri në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll. Autoritetet turke pohojnë se ai është vrarë në Konsullatë, prëderisa Riadi zyrtar pohon se gazetari është larguar nga ndërtesa i palënduar.
Kashogi u largua nga Arabia Saudite vitin e kaluar pasi që e kritikoi politikën saudite në Jemen dhe presionin që po e bën ndaj kritikëve të pushtetit. Mediumet turke të mërkurën publikuan fotografi nga, siç thanë, “ekipi saudit për vrasje”, i prëbërë nga 15 persona, e gjithashtu publikuan edhe video xhirim për lëvizje të dyshimtë në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll pas zhdukjes së Kashogit. Arabia Saudite nuk e komentoi publikimin e fotografive dhe video xhirimin.