Shkup, 11 korrik 2019 (MIA) – Deri në këtë moment nuk ka informacione për shtetas të pësuar të Maqedonisë së Veriut nga moti i lig që e kaploi rajonin më të gjerë Halkidiki, konfirmuan për MIA-n nga MPJ.
Tani për tani asnjë shtetas i Maqedonisë së Veriut nuk ka denoncuar as për dëme nga moti i lig. Në vijim janë kontrolle plotësuese nga institucionet kompetente.
Për shkak të rrugëve të papastruara, drunjtë e rrëzuar dhe problemeve në furnizimin me energji elektrike në rajon, autoritetet lokale rekomandojnë të shmanget lëvizja në këtë pjesë të vendit derisa të zgjatë pastrimi dhe të normalizohet furnizimi me energji elektrike.
Konsullata e Përgjithshme e Maqedonisë së Veriut është në kontakt të vazhdueshëm me shërbimet kompetente. Qytetarët e Maqedonisë të cilët eventualisht janë të lënduar nga moti i lig në Greqi mund ta kontaktojnë Konsullatën e Përgjithshme në Selanik në telefonat vijues:
00302310277347
00302310277348
Numër kontakti i ambasadës tonë në Athinë:
00302106749585
Nga moti i lig që e goditi Halkidikin, një prej destinacioneve më të vizituara verore të turistëve të Maqedonisë, jetën e humbën të paktën gjashtë persona, në mesin e të cilëve edhe dy fëmijë. Një person rezulton i zhdukur, dhjetëra janë lënduar, është shkaktuar dëm i madh material dhe ka ndërprerje në furnizimin me energjinë elektrike, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Viktima të motit të lig janë turistë nga Rumania, Çekia dhe Rusia të cilët kanë qenë në afërsi të krahut të parë, ndërsa, nga dje pasdite një peshkatar rezulton i zhdukur.
Të lënduarit janë transferuar në disa spitale në Halkidiki dhe në Selanik, ndërsa një grua ndodhet në trajtim intensiv. Jozyrtarisht, në mesin e të lënduarve ka edhe fëmijë.