Shkup, 26 maj – Duket se Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë nuk do të ndarmarrë asnjë masë konkrete kundër spiunit serb, Goran Zhivaljeviq, i cili më 27 prill – natën e përgjakshme për deputetët e LSDM-së dhe Ziadin Selës, u fut në Parlament bashkë me turmën e huliganëve që sulmuan deputetët, shkruan gazeta KOHA. Në njoftimin që MPJ u ka drejtuar mediave, pas takimit me ambasadoren serbe Dushanka Divjak-Tomiq, thuhet se është shprehur vetëm pakënaqësi, ndërsa në të ardhmen, pa detajuar kohën, organeve kompetente të të dyja vendeve duhet të qartësojnë dhe vërtetojnë të gjitha rrethanat e rastit dhe rrjedhimisht të ndërmerren aktivitete përkatëse. “Është shprehur pakënaqësia dhe shqetësimi për shkak të prezencës së palejueshme të diplomatit të akredituar të Republikës së Serbisë në Republikën e Maqedonisë gjatë kohës së ngjarjeve të dhunshme më 27 prill të këtij viti, dhe është kërkuar qartësim i detajuar për shkaqet dhe rrethanat për të njëjtën gjë. Më pastaj, është paralajmëruar se aktiviteti i këtillë i personit të theksuar nuk kontribuon në përforcimin e besimit të ndërsjellë si dhe në avancimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërfqinjësor, për çka të dyja vendet po përpiqen”, thuhet në njoftimin e MPJ-së drejtuar mediave. Njëkohësisht, thuhet më tej, pritet që në komunikimin e ndërsjellë në të ardhmen të organeve kompetente të të dyja vendeve, të qartësohen dhe vërtetohen të gjitha rrethanat e rastit dhe rrjedhimisht do të ndërmerren aktivitete përkatëse, në pajtim me ligjet dhe të drejtën ndërkombëtare. “Nga ana e bashkëbiseduesit, me vërtetimin e angazhimeve për zhvillim dhe avancim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë mes dy vendeve fqinje, janë shprehur qëndrimet dhe qartësimet në vijë të deklaratave të mëhershme të kryeministrit dhe kryetarit të porsazgjedhur të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ministrit të punëve të jashtme të Republikës së Serbisë, Ivica Daciq”, thuhet në njoftimin e MJP-së. (koha.mk)