Ministria e Punëve të Brendshme ka dorëzuar në Prokurorinë Publike tri raporte të veçanta lidhur me zbulimet që dalin nga monitorimi i kamerave të brendshme të Kuvendit. Në komunikatën për media të MPB-së thuhet se nga mbikëqyrja e video-materialeve nga kamerat e sigurisë janë identifikuar persona të cilët kanë marrë pjesë në heqjen e bllokadës së vendosur më herët në derën nga pjesa e brendshme e hyrjes kryesore në ndërtesën e Kuvendit. Por, ALSAT mëson nga burime të sigurta, se në këto raporte përmenden emrat e deputetëve: Kërste Mukovski, deputeti që këndoi himnin në sallë, si dhe Sashe Vasilevski, të dy këta që u hapën dyert protestuesve dhe iu mundësuan atyre pjesëmarrjen në dhunën e përgjakshme dhe rrezikimin e jetës së deputetëve. Ndërsa deputeti tjetër Johan Tarçullovsi, i dënuar për krime lufte si dhe krye-shefi i sigurimit të Veljanovskit, Goran Gjoshevski. Sikurse kemi raportuar ditë më parë, nga burime të sigurta, ALSAT mësoi se 3 deputetët Mikovski, Vasilevski, Tarçullovski dhe krye-shefi i sigurimit të Veljanovskit, bazuar në përshkrimin e kamerave të sigurisë me qark të mbyllur që ka ndërtesa e Parlamentit, janë parë të hapin dyert dhe të orientojnë turmën. ALSAT faktoi edhe dje, me pamjet tona por edhe ato që qarkullojnë nga mediat e tjera, se personat shfaqen duke valëvitur duart dhe duke i treguar turmës drejtimet. Burimet tona nuk e zbardhin përmbajtjen e raportit që i është dërguar Prokurorisë, dokumentimin e mundshëm të tyre me pamjet filmike apo dëshmi të pjesëmarrësve të tjerë nga Kuvendi, ndërkohë që pritet që Prokuroria të vlerësojë këtë vepër dhe të thërrasë në pyetje deputetët që kanë kryer veprën e bashkëpjesëmarrjes në krim. Sipas Kodit Penal, e gjithë kjo katërshe pritet të përgjigjet për veprën si bashkë-kryerës të veprave penale që ndodhën në sallë, konkretisht bashkë kryerës në tentativë për vrasje, bashkë kryerës në terrorizëm, bashkë kryerës në tradhti të lartë. Deputetët Mukovski, Vasilevski, Tarçullovski nuk kanë ofruar ndihmë të thjeshtë por me veprimin e tyre qenësor kanë bërë të mundur kryerjen e veprave të rënda penale. Ende nuk dihet se si do të reagojë edhe maxhoranca e re lidhur me këtë krim, dhe nëse deputetëve mund t’ju hiqet edhe mandati.