Shkup, 9 shkurt – Ministria për Punë të Brendshme vazhdon të heshtë për zhdukjen e mistershme të Arben Arsllanit nga Shkupi. Përderisa familjarët e Arbenit janë në pritje të informacioneve zyrtare nga autoritet e sigurisë, këta të fundit edhe pas tre ditëve që kur paralajmëruan se do të përgjigjen, akoma nuk kanë dhënë asnjë informacion për procedurën hetimore.
Përkundër faktit se rasti i zhdukjes së Arbenit është denoncuar me 25 janar, deri më tani policia e Shkupit, nuk ka dhënë asnjë përgjigje se në cilën fazë kanë arritur hetimet për gjetjen e personit në fjalë. Aq më pak nuk tregojnë se ka apo nuk ka të dyshuar për zhdukjen e tij, gjegjësisht pse deri më sot nuk është zbardhur asnjë sulm ndaj familjes Arsllani. Ndryshe, familjarët e 35 vjeçarit, Arben Arsllani, në një apel drejtuar mediave, theksojnë se familja e tyre vite me radhë ka qenë cak i atentateve, autorët e të cilëve vazhdojnë të mos dihen se kush janë. Faiku, vëllai i Arbenit të zhdukur, thotë se prej mbrëmjes së 23 janarit, asnjë gjurmë apo informacion nuk kanë për vendndodhjen e familjarit të tyre.
Krahas Arben Arsllanit, në territorin e Shkupit periudhës së fundit janë shtuar ankesat për zhdukjen e mistershme të qytetarëve, një pjesë e të cilëve janë pleq të shtyrë në moshë, respektivisht qytetar me sëmundje të ndryshme, kryesisht me “sklerozë”. (koha.mk)