Shkup, 30 mars – Gjendja e sigurisë në rajonin e komunave Dibër dhe Qendër Zhupë, ku është shpallur gjendje krize, është stabile. Nuk janë regjistruar tubime të qytetarëve në vende publike, nuk ka prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe nuk janë regjistruar fatkeqësi komunikacioni, informojnë sot nga Ministria e Punëve të Brendshme, informon Koha.mk
Nga MPB theksojnë se po zhvillohet pa pengesa procesi i nxjerrjes së personave të cilët gjatë 14 ditëve të shkuara ishin në vetëizolim, ndërsa sot nga Dibra do shoqërohen dy persona.
Në kuadër të masave të parapara në planin operativ, nëpunësit policorë i realizojnë moto-patrullat nëpër mjediset urbane dhe paralagjet e qytetit.
“Në terren, pa problem po zhvillohen aktivitetet ndaj personave që janë vendosur nën masa për vetëizolim, mbikëqyrje shëndetësore de izolim shtëpiak. Gjatë 24 orëve të fundit, në periudhën prej 07:00 më 29.03 deri në orën 07:00 më 30.03.2020, një person nga Dibra nuk e ka respektuar ndalesën për lëvizje gjatë zbatimit të masave për lëvizje të kufizuar dhe mbrojtje të qytetarëve nga përhapja e koronavirusit Kovid-19. Janë kryer 29 kontrolle të personave të evidentuar me vendim për izolim, ndërsa janë kryer 107 kontrolle ndaj personave në vetëizolim”, informojnë nga MPB.
Në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë me sukses po zbatohen masat për kontroll gjatë hyrjes së automjeteve, si dhe aktiviteteve për furnizim me ushqim, barëra, mjete për higjienë personale dhe nevoja të tjera në të dy komunat.
Të gjithë personat juridik të cilët kryejnë furnizim, qëndron në kumtesë, duhet të paralajmërohen në Shtabin e krizës në telefonin fiks 046/831 051 pas çka, automjetet e tyre, me polici do të përcillen drejt objekteve adekuate tregtare.
“Përkujtojmë se hyrja është e lejuar vetëm për persona të cilët janë banorë të komunave, ndërkaq njëkohësisht është pamundësuar, përkatësisht është ndaluar rreptësisht hyrja e të gjithë qytetarëve të hasur në rajonin e dy komunave. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, rreptësisht ta respektojnë vendimin e Qeverisë për ndalesë të lëvizjes prej 21:00 deri në orën 05:00 çdo ditë, si dhe në mënyrë të disiplinuar t’u përmbahen të gjitha masave të rekomanduara lidhur me përhapjen e koronavirusit (KOVID-19), ndërsa të gjithë personat juridik dhe fizik rreptësisht t’u përmbahen udhëzimeve të nëpunësve policorë”, qëndron në kumtesë.
Qytetarët, në numrin e telefonit pa pagesë 08 0000 201 apo në 192, mund t’i paraqesin të gjitha rastet e personave të cilët i shkelin dispozitat për vetëizolim 14-ditor. Të gjithë ata të cilët i shkelin rekomandimet e dhëna, do të sanksionohen në pajtim me nenet 205 dhe 206 të Kodit penal. (koha.mk)