Zëvendësministri i policisë, Agim Nuhiu, mohon të ketë raste të shumta, por thotë se në rast se ka ndonjë lëshim teknik, mund edhe të korrigjohet. “Qytetarët që kanë ankesa, le të paraqiten në zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe gabimi do të përmirësohet dhe për të njëjtën procedurë, shpenzimet i mbulon Ministria e Brendshme”
Shkup, 14 nëntor – Edhe pse para 11 viteve Maqedonia e njohu Pavarësinë e Kosovës si shtet, jo të gjitha institucionet e respektojnë këtë vendim të Qeverisë së Shkupit. 11 vite më pas, ka raste të shumta ku qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut e të cilët janë me vendbanim të përkohshëm në Republikën e Kosovës, u bëhet padrejtësi institucionale gjatë marrjes së pasaportës, shkruan gazeta KOHA. Në dokumentet e tyre – në vend të shkurtesë së RKS (Republika e Kosovës) për vendbanim të përkohshëm, shënohet SRB (Republika e Serbisë).
Të revoltuar me këtë gabim sa teknik aq edhe të qëllimshëm, qytetarë për KOHA reagojnë duke kërkuar që këto gabime të përmirësohen në një afat sa më të shkurtër kohor dhe të mos përsëriten në të ardhmen. Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), mohon një dukuri të tillë, por nuk përjashton se mund të ketë edhe ndonjë, siç thonë, “lëshim teknik” gjatë procedurës së furnizimit me pasaporta të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që jetojnë dhe veprojnë përkohësisht në Republikën e Kosovës.
“Si dukuri ne e mohojmë. Prej momentit që Maqedonia e ka pranuar Kosovën si shtet, nuk ka raste të këtilla. Në rast se ka ndonjë lëshim teknik, mund edhe të korrigjohet. Qytetarët që kanë ankesa, le të paraqiten në zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe gabimi do të përmirësohet dhe për të njëjtën procedurë shpenzimet i mbulon Ministria e Brendshme. Mund të ketë ndonjë lëshim teknik ose gabim të administratorëve, por e përsërisë – si dukuri e mohojmë të ekzistojë që nga momenti kur e kemi njohur Kosovës si shtet”, deklaroi për gazetën KOHA, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu.
Përndryshe, ky fenomen me qytetarët e Maqedonisë të cilët janë me vendbanim të përkohshëm në Kosovë, daton që nga ish-Jugosllavia, ndërsa me pranimin e Republikës së Kosovës si shtet nga Maqedonia në vitin 2008, kjo e fundit obligohet të përdorë emrin kushtetues të Republikës së Kosovës në të gjitha nivelet e bashkëpunimit ndërshtetëror, bilateral, si dhe në dokumentet zyrtare të dyja vendeve. (koha.mk)