Mourinho sqaron pse jetoi në hotel sa ishte në Manchester

Jose Mourinho e ka sqaruar pse ai jetonte në hotelin Lowry gjatë kohës së tij si trajner i Manchester Unitedit, para kthimit të tij në Old Trafford të mërkurën në mbrëmje. Pasi e mori drejtimin e Tottenahmin nga Mauricio Pochettino i shkarkuar muajin e kaluar, Jose Mourinho tani do të ritakohet me klubin që e shkarkoi vitin e kaluar, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.

Para ndeshjes, ai u pyet për stilin e tij të jetesës gjatë kohës sa e kishte kaluar në Mançester, pas raportimeve në media se pikërisht kjo jetesë i kishte sjellë atij palumturi gjatë kohës sa po punonte në Teatrin e Ëndrrave. Mirëpo, Mourinho nuk u pajtua dhe reagoi shpejt për t’i hedhur poshtë ato pretendime.

“A e dini se si do të kisha qenë shumë i palumtur? Do të kisha qenë shumë i palumtur nëse do të jetoja në një shtëpi i vetëm”, ka thënë Mourinho.

“Do të duhej të pastroja, nuk dua ta bëj këtë. Do të duhej t’i hekurosja rrobat, s’di ta bëj këtë. Do të duhet të gatuaja, do të haja vetëm vezë e suxhuk, këto janë të vetmet gjëra që di t’i bëj. Do të kisha qenë shumë i palumtur. Jetova në një apartament të mrekullueshëm, nuk ishte vetëm një dhomë dhe ishte e imja gjithmonë. Nuk është se duhej ta ndryshoja vendin çdo javë. Ai apartament ishte i imi”, deklaroi Mourinho.

Mourinho do ta shkojë me Tottenhamin në Old Trafford sonte, pas dy fitoreve radhazi në Premierligë, kundër West Hamit dhe Bournemouthit, rezultate këto që e kanë ngritur skuadrën e tij në pozitën e gjashtë.

Ndërkohë, Manchester Unitedi i ka barazuar dy ndeshjet e fundit të Premierligës, kundër Sheffield Unitedit dhe Aston Villas, duke mbetur në pozitën e dhjetë në tabelë.

Duke reflektuar për kohën e tij në Old Trafford, Mourinho insistoi se ai nuk ishte penduar për asgjë: “Unë mësova dhe tani jam trajner më i mirë sesa që isha atëherë”.