Tottenham arriti të eliminonte me shumë vështirësi Lokomotivën e Plovdivit në turin e dytë kualifikues të Europa League pas fitores në transfertë 1-2 me përmbysje, duke vazhduar aventurën në raundin e tretë aty ku do të ketë përballë Shkëndijën e Tetovës me sfidën që do të zhvillohet në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup.
Pas Milanit, Shkëndija e Tetovës do të përballet me një tjetër skuadër të madhe në këtë kompeticion pikërisht Spurs-at. Jose Mourinho pas suksesit ndaj Lokomotiv Plovdiv dha një mendim edhe për skuadrën tetovare.
“Nuk di asgjë për Shkëndijën. As nuk dija për Lokomotiv Plovdivin. Tani kemi përpara ndeshjen në Angli dhe më pas do të nisim të përgatisim përballjen për në Maqedoninë e Veriut. Ajo që di me siguri është që do të jetë shumë e vështirë. Në turet me tek ndeshje, është e vështirë pasi luhet gjithçka në 90 minuta”, deklaroi Mourinho për mediat angleze pasi ndeshjes me Lokomotiv Plovdivin.