Josè Mourinho është nostalgjik për Interin, sikurse zikaltrit, nëntë vite pas “tripletës”, nuk e harrojnë portugezin. Ky i fundit do të mbetet në historinë e klubit, por ka nisut të përflitet edhe mundësia e rikthimit. Për të shtuar lajmet sensacionale në këtë drejtim ka menduar “Tuttosport”.
Sipas gazetës torineze, “Special One” i është ofruar presidentit Zhang nëpërmjet ndërmjetësimit të Massimo Moratti dhe Marco Tronchetti Provera. Të dy këta, gjithmonë kanë qenë mbështetës e sponsorizues të madh të trajnerit portugez.
Përgjigja e Interit, megjithatë, nuk ishte shterruese, duke pasur parasysh se menaxhmenti aktual, me Marottën në krye, ka plan tjetër. Më konkretisht, nëse vendoset për ta zëvendësuar Spallettin në fund të sezonit, nuk synohet të kthehet Mourinho, por të vijë Antonio Conte.
Marotta, nga ana tjetër, e njeh shumë mirë teknikun nga Salento, me të cilin ka punuar tri vite te Juventusi. Ai e konsideron Antonio Conte si profilin ideal për të krijuar një grup fitues edhe tek Interi. Një opsion që, me sa duket, ka miratimin e plotë të presidentit Zhang, i cili i ka dhënë “çek të bardhë” Marottës për të riformatuar Interin.
Me pak fjalë, rikthimi i Mourinhos në stolin e Interit nuk duket të jetë në rendin e ditës. Për pasojë, sipas “Tuttosport”, trajneri portugez mund të rifillojë nga Gjermania, ku Bayern Munich mendon për një ndryshim në stol, nëse Kovac nuk fiton as Bundesligën këtë sezon.
Mourinho, në anën tjetër, pasi fitoi kampionatin në Portugali, Itali, Angli dhe Spanjë, do të ishte i lumtur ta provonte këtë në Gjermani. Bayern do të ishte një mundësi e përkryer për të rregulluar imazhin e tij të rrënuar nga shkarkimi prej Manchester United.