Jose Mourinho ka kritikuar lojtarët sulmues pas barazimit 0-0 në “Old Trafford” me Valencian në Ligën e Kampionëve. Trajneri portugez ka thënë se Unitedi po vuan nga paraqitja e lojtarëve ofensivë, duke iu referuar këtu, Lukakus, Sanchesit, Rashfordit e Martialit – të cilët po gjejnë golat me shumë vështirësi. Portugezi mendon se barazimi në Old Trafford ishte rezultati më i drejtë për të dyja ekipet.
“Lojtarët tanë sulmues nuk janë në momentin më të mirë të besimit dhe nivelit individual të performancës, kështu që menduam se me tri, ose katër raste, do të shënonim dhe do ta fitonim ndeshjen, të cilën nuk e bëmë. Nuk është një rezultat i keq, por nuk është as një rezultat i mirë”, u shpreh Mourinho.
“Ndaj Valencias, mendoj se barazimi ishte një rezultat i drejtë. Por, është frustrues për ne, sepse nuk është rezultati që duam. Kishte disa përmirësime në paraqitjen tonë. Kishim një nivel të pranueshëm loje, në të kundërtën do të humbnim. Dhe humbja do të na linte në një situatë të vështirë duke parë në çfarë grupi gjendemi. Në një grup kaq të vështirë, nëse nuk mund të fitosh, të paktën mos humb. Ne ishim ekipi që u përpoq më shumë, që kishte disa shanse të mëdha për të fituar, por e pranoj rezultatin si të drejtë”, u shpreh mes tjerash Mourinho.