Jose Mourinho ishte shumë i zhgënjyer nga rezultati 2-2 i ndeshjes së Manchester United ndaj ish-ekipit të tij Chelsea në Stamford Bridge. Pas golit të barazimit të Bluve në fund të takimit, ai pati edhe një incident me një prej asistentëve të Sarrit. Pas ndeshjes, Mourinho shprehu keqardhjen për rezultatin, por i thuri elozhe ekipit të tij.
“Mendoj se në pjesën e dytë ishim shumë mirë. Kontrolluam ndeshjen dhe nuk lejuam lojtarët e tyre kyç të futeshin në lojë. Nuk e kisha parë ndonjëherë Jorginhon të luante aq pak, dhe kjo është merita jonë”, tha Mourinho.
“Shpresoj që çdo gjyqtar të bëjë të njëjtën gjë si Mike Dean dhe të japë gjashtë minuta shtesë. Nuk e kuptoj pse dha aq shumë”, shtoi portugezi.
“Ekipi luajti shumë mirë, individualisht e rritëm nivelin, sidomos lojtarët e sulmit. Jam shumë i kënaqur me individët, me ekipin dhe me punën që kemi bërë ditët e fundit, përveçse me rezultatin, i cili është një rezultat i tmerrshëm për ne”, tha ai.
“Për sa i përket situatës me asistentin e Sarrit, ishte vetë Sarri ai që erdhi i pari për të më thënë se do ta zgjidhte situatën në privatësi. Më pas, asistenti i tij erdhi tek unë dhe më kërkoi falje. Unë i thashë menjëherë se nëse me të vërtetë e mendonte ashtu dhe donte të kërkonte falje, atëherë ishte i falur. Edhe unë kam bërë shumë gabime në karrierën time, kështu që patjetër që do ta pranoja faljen e tij”, përfundoi Mourinho.
https://www.youtube.com/watch?v=yLVKNUer2R0