Që nga largimi i Sir Alex Feguson prej Manchester United në 2013, “Djajtë e Kuq” nuk kanë gjetur ende një projekt afatgjatë që do të konsolidonte pozitat e klubit anglez në majat e skenës së futbollit europian. Fillimisht ishte Moyes, që zgjati vetëm një sezon dhe dështoi. Më pas ishte radha e Van Gaal, që drejtori United për dy sezone të plota dhe shpenzoi 250 milionë euro për 13 blerje, që supozohej të ishin themelimi i të ardhmes së Manchester United. Pas largimit të holandezit, klubi nga “Old Trafford” besoi te Mourinho, që ka shpenzuar deri tani gati 400 milionë euro në tre merkato vere, dhe në këtë sezon të tretë, portugezi është në limite, i rrezikuar për të ardhmen. Gjatë këtyre tre merkatove verore, Special One ka spastruar më shumë se gjysmën e futbollistëve të blerë nga Van Gaal. Vetëm gjashtë janë blerjet e holandezit që kanë mbijetuar ende në Old Trafford, prej të cilëve vetëm dy aktivizohen shpesh.
Në dy sezonet e tij, Van Gaal nënshkroi me Blind për 18 milionë, por këtë verë, Mourinho e shiti atë te Ajax për 12 milionë. Për mbrojtjen, holandezi u përforcua edhe me Darmian, që gjithashtu kushtoi 18 milionë dhe mbetet te United, ndonëse me pak minuta. Po ashtu edhe Shaw, për të cilin United shpenzoi 38 milionë. Anglezi është i vetmi nga blerjet e Van Gaal që luan si titullar për Mourinhon. Në 2014 United investoi gjithashtu për blerjen e Rojo, që kushtoi 18 milionë euro, por argjentinasi është penalizuar nga dëmtime dhe performancë e dobët, duke mos patur vijimësi në fushë.
Në mesfushë, Van Gaal nënshkroi me Di Maria për 75 milionë euro, dhe pas një sezoni të dobët, ishte vetë holandezi ai që vendosi ta shesë te PSG për të njëjtën shumë. E ndryshme është çështja e Schnneiderlin dhe Schweinsteiger. Që të dy kushtuan rreth 50 milionë euro, por asnjëri prej tyre nuk bindi portugezin, që e shiti francezin te Everton ndërsa injoroi e turpëroi rëndë ish-kapitenin e Gjermanisë, duke e degdisur gjermanin të stërvitet me të rinjtë e United. Ander Herrera është mesfushri i vetëm që erdhi me Van Gaal dhe mbetet ende në skuadër. Spanjolli kushtoi 36 milionë dhe luan shpesh, ndonëse nuk është titullar i padiskutueshëm.
Nga tre sulmuesit që mbërritën mes merkatove të viteve 2014 dhe 2016, vetëm Martial vijon të qëndrojë në “Old Trafford”. Falcao qëndroi vetëm një sezon në huazim dhe u rikthye te Monaco pa lënë gjurmë, ndërsa Depay u shit në Francë te Olympique de Lyon pasi Mourinho se nuk ishte në planet e tij. Sa për portierët që mbërritën, Valdés u pensionua, ndërsa Romero është zëvendësuesi i përhershëm i De Gea.