Ka përfunduar ëndrra e Juventusit për të mbërritur në finalen e Ligës së Kampionëve këtë edicion. Kampionët e Italisë u eliminuan nga Ajax-i në çerekfinale, edhe pse shënuan të parët, me anë të Cristiano Ronaldos, në stadiumin “Allianz”. Golat e Van De Beek dhe De Ligt shuan edhe ëndrrën e yllit portugez për triumf në garën madhore europiane për klubet, që në sezonin e parë me bardhezinjtë.
Vetë CR7 nuk ka komentuar asgjë në lidhje me ndeshjen, që e pengoi atë të shkonte në finalen e katërt radhazi të Ligës së Kampionëve. Këtë “rregull” e prishi e motra, Katia Aveiro, e cila e përmblodhi me dy fjali eliminimin e Ronaldos dhe “Zonjës së Vjetër”.
“Ti e bëre pjesën tënde, dashuria ime”, – shkroi Aveiro në Instagram, shoqëruar me një foto të të vëllait gjatë humbjes 2-1 me Ajax. Në fotografinë e publikuar nga Katia, Cristiano shfaqet duke kërkuar ngushëllim nga qielli, në kulmin e dëshpërimit të humbjes dhe eliminimit përballë holandezëve. Poshtë saj, Katia Aveiro ka lënë një mesazh tjetër, “helmues” për mjedisin bardhezi: Urime Ajax-it!