Motorët e plastikës dhe boksi shfrenues

Vera na i nxjerr shumë gjëra jashtë, përveç krahasimit të rrobave në plazh ditën dhe darkë natën, na kthen shumë shpesh të një ndjenjë jete, se në verë duhet dalë nga muret. E kur mundësitë janë të vogla çfarë mund të bëhet? Shumica e fëmijëve të ballkanasve nuk merren me nacionalizma të pabaza pasi jetojnë jashtë dhe flasin të njëjtën gjuhë: të huaj. Statistikat tregojnë se Shqipëria është e para, Bosnja e dyta dhe Serbia e treta për nga numri i banorëve që ikin në vit. A i besojnë vërtetë dikujt në politikë më ballkanasit?

Nga Idro SEFERI

Vera. Kyështë sezoni kur të gjithë kthehemi në shtëpi. Kështu bëjnë vetëm ca shpezë shtegtare që shkojnë në Afrikë, në vjeshtë dhe kthehen me motin e mirë. Kështu bëjnë edhe shumica e ballkanasve, vetëm se zakonisht shkojnë në pole më të ftohta, drejt Evropës Perëndimore.“Fëmija e bardhë si gjerman…s’e shohin dillin me sy”, kështu me konstatoi një shqiptar vronjëtues në një shesh të Kosovës, derisa nja dhjetë fëmijë kalonin duke lozur në shesh. Pak a shumë kështu ndodh në tërë Ballkanin dhe jo vetëm me shqiptarët. Nyja e Ballkanit është Serbia, të paktën në aspektin rrugor, ku kalojnë miliona njerëz nëpër autostradat e saj që çojnë deri në Turqi. Kryesisht në këto rrugë kalojnë të ikurit. Mua më bien diku në mes, në kthim ose në arritje. Zakonisht çdo shofer në kohë vere nëpër këtë vend bën kujdes dhe nuk shkon në asnjë autostradë pasi të duhen orë për ta paguar, vetëm nëse nuk ke rrugë tjetër. Kështu u nisa edhe unë një ditë të diele drejt hapësirave shqiptare, Kosovës e më pas Shqipërisë. Detajet ë një udhëtimi mund të jenë interesant në Ballkan, kur pjesa e pakënaqësisë publike për gjërat që nuk shkojnë kthehen në praktikë. Duke qenë jashtë, edhe pse vetën nuk e konsideroj emigrant, distance kohore dhe fizike të rritë aftësitë vrojtuese po ashtu. Para se të nisesh kërkon se për cilin pikë kalim kufitar dinë njerëzit më pak. Aty bëhet edhe nisja. Zakonisht i evitoj pikëkalimet kryesore. Si gjithkund në Ballkan, shoqëritë janë të ndara dhe ekzistojnë dy lloj kombesh brenda një kombi. Janë ata që quhen “punë e madhe” ose “ani çka” edhe ata që janë vronjëtues të palës tjetër që mund të quhen si “haj kuku” ose “kqyre bre”.

Në të gjitha vendbanimet në Ballkan ekzistojnë ata që janë në aksion dhe ata që janë në reaksion. Nëse ndahen në shenjat e pikësimet, pra “…”, tri pikat e shoqërisë që vazhdojnë pa brenga dhe ata që presin a ka më ose pikëpyetjet dhe pikëçuditëset disi sikur e kanë për here të parë. Kështu ndodh që kur nisesh nëpër pika të karburantit, vende ku kalohet nëpër pagesa apo edhe kur nëpër Serbi i dëgjon shqiptarët që i ka kap vapa dhe sa më shumë që afrohen edhe nacionalizmi. Nga targat nuk dallohemi shumëkush se çka është pasi jemi të kombeve të ndryshme. Kështu bëjnë edhe turqit dhe bullgarët. Zakonisht ata janë familje më të mëdha dhe kryesisht i nxjerrin batanijet, pulat e pjekura dhe gjygymat e çajit në ndonjëherë bagazh furgonash të ndërtuar pikërisht për këtë eveniment. Me rafte dhe soba elektrike ose sic i thoshin dikur në Kosovë “roshov”. Në të arritur në zonën e shqiptarëve duket se kam zgjedhur paksa keq. Pikëkalimin e vitit të kaluar ma kishin zbuluar paksa. Një radhë nja 30 minuta, është e përballueshme. Nga ana e kundërt kalojnë ca gra të veshura me fustane me xixa se kanë dasëm. Andej o këndej kufirit e kanë marrë nusen në Luginën e Preshevës. Pikëkalimin kufitar e kishin mbuluar mbeturinat. Kështu futemi në Kosovë. Radha nëpër rrugë bëhet sikur të kishte Kosova dalje në oqean. Arrijë në rrugën time në Pejë dhe përshëndetem. Kësaj vere ka më shumë njerëz. Një pjesë nuk i shohim por sa futesh në rrugë e di kush ka ardh. Unë jam me targa Beogradi, fqinjët përballë me targa norvegjeze, vëllai im me targa gjermane, më sipër nga Franca, Belgjika, Zvicra e Amerika e vende të ndryshme.

“Jemi bë si kombet e bashkuara”, thotë dikush. Nëpër oborre merremi vesh kush ka ardh sepse e dimë kush ku ka shkuar. Kështu disi i kaloj disa ditë për ta kryer një obligim ndaj atyre që kanë mall dhe për të cilët ke. Në sheshe, ashtu siç ndodh edhe në qytetin tim, në secilat prej tyre zakonisht dihet se çfarë bëjmë: makiato, porosisim fli, hajme qebapa, suxhuk, shkojmë në pompë të benzinës, shtyhemi për një vend në lokal, ndonjë ditë te burimet dhe buzë lumenjve e kështu me radhë. Dikush hodhi nja dy bomba në një lokal.  Ata që kanë fëmijë ua paguajnënga dy tre xhiro me makinat elektrike për tu shëtitur kalamajt e tyre që kanë ardh prej jashti. Në fund krejt shkojnë edhe i bien një thesi boksi elektrik.“Kush i kalon 999 i fiton 5 euro”, shkruan në njerën prej tyre.Tash në kafe përballë komentohet. “Bam…”, i bjen njeri e çon tek 930, por “Herkuli” ishte i pakënaqur pasi fuqia absolute e la për pak. Kështu bëhen rreth 50 meshkuj dhe spektator. Gati asnjë nuk ia qëllon. Pastaj i bien asaj me kemb dhe “gup, gap”, arrijnë ta shtyjnë edhe një orë jetë. Në kafene gjithnjë vazhdojnë komentet pasi gjëja e vetme që mund të shohësh është kjo dhe disa njerëz duke shëtitur derisa të lodhen. “U kënaq pare…”, thotë një zë i arsyeshëm që i takon sigurisht asaj pjesës “punë e madhe” ose “ani çka”, duke e shtruar argumentit e tij edhe me faktin e njohur “e çka me ba na kur të shkojnë këta të jashtit?”. Pyetja duket me vend. “Duhet mu shpraz dika”, thotë zëri kundërshtar, i cili tregon se si kjo puna e boksit qenka e montuar dhe nuk shkom më shumë se aq. “Një ditë tri orë i kam kqyr, kërkush s’fitoi”.

Kështu disi i bleva edhe unë do fara luledielli tek një tetovar që në Pejë punon prej dekadash. Ne aty na duket kjo punë koti.

Kështu u nisa për në Shqipëri. Vendin me të cilin jam i lidhur prej vitesh personalisht dhe me punë. Kështu shteti shqiptar ngjan me vite, ka polici, pak radhë dhe nëse arrinë të evitosh mjaftueshëm pengesa e “formula 1” në autostradën që duket në disa pjesë si e papërfunduar, arrinë në Tiranë pas ca orësh. Sfida e parë është ta dish si i jepet makinës në Shqipëri. Nëse je shofer beson se e di. Por, rregullat e trafikut ndryshojnë nga vendi në vend, në varësi të rregullave të mentalitetit. Ku ka ligj e rregullon shteti. Por, në Shqipëri koncentrimi për ti dhënë makinës duhet të jetë maksimal. “Kujdes vëlla se këtu siç je duke i dhënë makinës në mes të autostradës të del një mur”, më tha një miku im i mirë nga Tirana, kur pretendova se e di rrugën nga Kavaja. E drejt. Shembull në Shqipëri trafiku rregullohet me idenë “kush është ma i forti”. Si përcaktohet kjo rregull?“Nëse ke makinën më të mirë dhe të vjen njeri-ik ti nga ai, nëse do të dalësh shko në drejtim të makinave më të mira se ikin ata nga ty”.Ky udhëzim ekspertësh më është dhënë që prej kohësh në vendin ku trafiku ngjanë me Shangajin.

Shqipëria është një vend fantastik me bukuri të jashtëzakonshme dhe më një gjatësi marramendëse plazhesh. “Ta kishte dikush tjetër bënte lekë”, ma sqaron një shqiptar i Shqipërisë që hyn te ky grupi “kqyre bre” ose në toskë “O Zot”. Kështu disi thirren shumica e shqiptarëve ato ditë që isha jo larg zonës ku ndodhi ngjarja me turistët spanjoll. “E ka paguar…s’e ka paguar”, kështu u ndanë njerëzit edhe atje. Disa ditë të mrekullueshme gjithsesi në jug të Shqipërisë pavarësisht se në disa pjesë navigaocioni në anglisht nuk i njihte dhe më sugjeronte të kthehem në rrugë. “Ju keni kaluar në fushë…”, më alarmonte disi diku pas Fierit. Natyrisht është për të dëshiruar kur për pak ditë ke 4 herë probleme me kamarierin se të ngatërron dy porosi të thjeshta ose në faturë të fut diçka që nuk të ka sjellë dhe që ti nuk ke patur kohë të ankohesh pasi kamerierin s’e ke parë të paktën 20 minuta. Kështu disi e humba rrugën për në kthim pasi te një vend kishte rënë tabela “Kosovë’. Arrita në kufi dhe me mirësjellje gjithçka deri tek doganieri i Kosovës që me gjasë mendoi se jam serb i Beogradit që çuditërisht flet shqip. Nga urdhri se si më tha me hap bagazhin e kuptova që e ka me inat, por ai e kishte nda mendjen: “ditën e mirë, edhe ju atje në Serbi kurrë s’keni më ba kerre ma të mira se na”. Me tha ai dhe ika duke qesh me zë.

Pastaj ndodhi kthimi. Problemi është se ka ndryshuar edhe diaspora dhe është ndarë në dy palë, diaspora e të gjithëve dhe jo vetëm ajo shqiptare. Një pjesë është kultivuar dhe nuk do më tensione, sharje dhe fyerje sikur qenkan njerëz të klasës së dytë. Për këto arsye edhe kanë ikur. Problemi tjetër është se nëpër secilën vendlindje ndarja është e fuqishme, por pushtetin kryesisht e kanë ata “ani çka”.

Nuk është keq në Ballkan, pajtohem, por problemi është se nuk ka rregull dhe vetmja vazhdimësi është rrethi vicioz i një gjellë të prishur që kundërmon.

Fëmijët e shqiptarëve, serbëve, maqedonasve, boshnjakëve e popujve tjerë këtu flasin gjuhë tjera. Ata që janë në atdhe duan që të paktën fëmijët e tyre të flasin gjuhë tjera pasi ajo pjesa “çka ka dert” ua ka pamundësuar jetesën dhe përkundër dashurisë të paktën një herë në javë secili prej nesh ka të paktën dëshirë shprehimore me ik. Opsionet për ndryshim duken të vogla përveç idesë “me ndrru vend”. Dhe, përveç mini makinave të plastikës me bateri dhe energjisë me i ra boksit, vërtetë çfarë të bëhet kur ikin “ata të jashtit”. Fara luledielli dhe me ngrënë platforma të bollshme politike që prapë të sjellin vetëm tek një përfundim: “o kuku?!” ose në toskë: “o bo bo”.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)