Si duket po vazhdon ende koha e kronistëve të shek.18 e 19, të cilët dërgonin në metropolet tyre impresionet udhëpërshkrues pasi kishin kaluar një kohë nëpër viset tona ekzotike, duke veçuar karaktere e ngjyrime etno-sociale të vendbanimeve të ndryshme
Nga Emin AZEMI
A jemi ne ata që imponojmë kurs zhvillimi në rubikonin gjeopolitik, apo jemi thjeshtë statist që presim se kah do të fryjnë elikat e erërave, për të rimarrë pastaj ndonjë pozicion post-festum?
Kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjet ndonjë institut i yni në fushën e politikës e diplomacisë, që po mungon me ndikimin dhe rrezatimin e ideve dhe studimeve kompetente. U bëmë gazi i botës duke u përpëlitur në ethet e padurimit çka po na thotë filan analisti i X institutit ndërkombëtar dhe merremi pastaj disa ditë me analizat e tij, duke i shitur shpesh edhe si “tonat”.
Të kesh kaq shumë universitete e kaq shumë tituj akademikë, të shpërndarë gjithandej hapësirës shqiptare, dhe të mos mundësh të formosh një institut të hairit, që do të merrej me analiza e studime të rrjedhave politike e gjeostrategjike këtu afër nesh dhe pak më larg se ne, flet, jo vetëm për mosgatishmërinë e sistemimit të dijeve brenda një formati të organizuar, por edhe për prirjen që të tregojmë varshmëri të skajshme nga “fusnotat” e importuara në arenën e gjerë të luftërave të ndryshme speciale, që te ne përkthehen si “mendime të pavarura”.
Diplomatët dhe gazetarët e huaj, që rrotullohen këndej pari, e shohin të zitë e ullirit për të shkëputur një mendim të mençur në ndonjë copë gazetë dhe, në mungesë të një burimi më kompetent në fushën e analizave, jo rrallë kthehen me dilema dhe fjalitë e pambaruara, me mendime të shkëputa e jokompetente që i marrin këtu, i plotësojnë me vrojtime të tyre, që shpesh qëllojnë të jenë të karakterizuara me eklektizëm idesh e pikëpamjesh.
Si duket po vazhdon ende koha e kronistëve të shek.18 e 19, të cilët dërgonin në metropolet tyre impresionet udhëpërshkrues pasi kishin kaluar një kohë nëpër viset tona ekzotike, duke veçuar karaktere e ngjyrime etno-sociale të vendbanimeve të ndryshme. Në këto impresione zakonisht zinin vend doket e zakonet tona, mënyra e jetës, stili i veshjes dhe ushqimit, kodi moral e zakonor dhe të gjitha këto përbënin një vëzhgim të detajuar të frymës dhe kontekstit historik e social të banorëve të këtyre viseve.
Por, në shek. 18 e 19 mungonin shkollat shqipe, mungonin mediat dhe intelektualët dhe ishte e vetëkuptueshme jehona e kronikave europiane mbi realitetin e atëhershëm, i cili pasqyrohej ashtu siç e “fotografonin” të huajt. Një kapitull i dhimbshëm i kësaj jehone madje kaluar edhe nëpër Beograd, i cili një kohë bukur të gjatë kishte shërbyer si adresë-kontakt për njohjen e shqiptarëve. Prandaj, qysh nga ato kohë e kishin burimin shpifjet dhe stereotipat paragjykuese për “shqiptarët me bisht” që me lehtësi ishin transferuar edhe në një pjesë të publikut të painformuar europian.
Tani kur kemi një realitet krejtësisht tjetër, kur etja për të hapur universitete dhe për të fotokopjuar diploma është shndërruar në sport kombëtar, po ndodhë pikërisht mjerimi që të mos arrijmë të akumulojmë dijet kompetente në kuadër të një instituti që do të zëvendësonte gjithë “shkencën e gjithologjisë” që po përhapet me të madhe nëpër portale e rrjetet sociale dhe për rrjedhojë asnjë europian apo amerikan që mundohet të kuptojë pak më thellë se çka po ndodhë këtu e ka vështirë të veçojë një mendim të pjekur, sepse edhe ato pak që janë, treten në zhurmën e madhe të “motorëve” të kotësirave tona. (koha.mk)