Pamjet e përditshme dhe praktika e deritanishme ka vërtetuar se në vendin tonë, motoçiklistët shumë pak i respektojnë detyrimet ligjore dhe si pasojë të mos përfilljes së rregullave të komunikacionit, ndodhin aksidentet e rënda, ku fatkeqësisht ka edhe pasoja në njerëz
Omer XHAFERI
Shkup, 14 prill – Ashtu siç arinjtë kur zgjohen nga gjumi i thellë dimëror, po ashtu edhe motoçiklistët me ngrohjen e kohës janë shtuar në komunikacionin rrugor në vend. Përderisa të parët në masë të madhe e respektojnë Ligjin e natyrës, vozitësit e motoçikletave fare pak ju përmbahen rregullave të komunikacionit, shkruan gazeta KOHA. Faktin se motoçiklistit dita ditës po shndërrohen në rrezik potencial për qarkulluesit në komunikacion, e shpjegon fakti se në muajin mars – nëpër rrugët e Shkupit janë shkaktuar dyfish më tepër aksidente nga motoçiklistët se sa gjatë dy muajve të parë të këtij viti.
“Në janar të këtij viti, në rajonin e Shkupit nga ana e motoçiklistëve, si kategori në vete e komunikacionit rrugor, janë shkaktuar dy aksidente, me çka vozitësit kanë marrë lëndime të rënda trupore. Ky numër është shtuar në muajin shkurt, me çka në katër aksidente të shkaktuara nga motoçiklistët, njëri prej tyre ka ndërruar jetë dhe tre tjerë kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Për dallim nga fillimi i viti, gjatë muajit mars aksidentet në komunikacion, shkaktar të të cilëve kanë qenë motoçiklistët, janë trefishuar, respektivisht në dhjetë aksidente, katër motoçiklistë kanë kaluar me lëndime të rënda trupore, gjashtë prej tyre me lëndime të lehta dhe njëkohësisht është shkaktuar dëm i konsiderueshëm material”, thonë nga Sektori për Punë të Brendshme Shkup.
VETURAT JO RRALLË HERË I GODASIN MOTOÇIKLISTËT
Arsyeja më e shpeshtë e këtyre aksidenteve, siç njoftojnë nga policia e Shkupit, janë shpejtësia e madhe, mos respektimi i sinjalizimit rrugor, mos respektimi i parimit të kalimit të parë, tejkalimet e shpeshta, manovrimet e ndryshme e kështu me radhë. Në bazë të Ligjit për siguri në komunikacion, drejtuesit e motoçikletave, pavarësisht fuqisë së tyre, gjatë pjesëmarrjes në komunikacion doemos duhet të mbajnë helmeta mbrojtëse, gjegjësisht në rast se janë dy persona, atëherë edhe bashkudhëtari duhet ta ketë një helmet të tillë.
Pamjet e përditshme dhe praktika e deritanishme ka vërtetuar se në vendin tonë – motoçiklistët shumë pak i respektojnë detyrimet ligjore dhe si pasojë e mos përfilljes së rregullave të komunikacionit, ndodhin aksidentet e rënda, ku fatkeqësisht ka edhe pasoja në njerëz. Policia e Shkupit kur flet për gjendjen në terren dhe masat preventive për uljen e këtyre aksidenteve, njofton se gjatë muajve të kaluar ndaj motoçiklistëve janë shqiptuar gjoba të ndryshme duke filluar nga 100 deri në 500 euro, përfshi edhe konfiskimin e motoçikletave. Prezenca periodike e motoçiklistë në komunikacion, sipas shumë shoferëve, paraqet edhe një fakt tjetër se pse ndodhin aksidentet gjatë kësaj periudhe.
Vetëdija e ulët dhe mungesa e kulturës përfshi të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, ndikon që shumë drejtues të veturave mos t’i përfillin motoçiklistët fare dhe në këtë mënyrë – shpesh ndodhë përplasja mes tyre (zakonisht fajtorë janë motoçiklistët, megjithatë raportet policore tregojnë se edhe shoferët e veturave jo rrallë herë i godasin motoçiklistët). Sektori për komunikacion pranë MPB-së, njëherësh bën të ditur se kohëve të fundit janë shtuar patrullat policore për kontroll të motoçiklistëve, respektivisht sipas tyre, një numër i konsiderueshëm i kësaj kategorie të vozitësve është përjashtuar nga komunikacioni. Rasti i fundit ku një motoçiklist e ndërroi jetë u regjistrua mëngjesin e së premtes. Në bazë të raportit ditor të SPB-Shkup, ngjarja ka ndodhur në lagjen Aerodrom të Shkupit, me çka një veture e tipit “Mitsubishi”, e kishte goditur për vdekje motoçiklistin.
Në rekomandimet e publikuara për siguri më të madhe të motoçiklistëve në komunikacion, Këshilli për Siguri në Komunikacion nënvizon se distanca mes motoçiklistëve dhe pjesëmarrësve tjetër në komunikacion duhet të respektohet, shpejtësia të kontrollet dhe njëkohësisht paralelisht me helmetat mbrojtëse, motoçiklistët të kenë të veshur jelek reflektues.
ÇARSHIA E SHKUPIT PISTË PËR MOTOÇIKLISTËT
Fotografia më reale e motoçiklistëve dhe veprimet e tyre të “tërbuara”, më së mirë pasqyrohet në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Përderisa në kohërat e mëhershme nëpër këtë kompleks historik qytetarët nuk kanë guxuar të ngasin as biçikletë, por vetë ta ecin atë, sot rrugicat e ngushta të Çarshisë së Shkupit janë shndërruar si mini pista për gara.
Zhurma e madhe të cilët e shkaktojnë dhe shpejtësia e pakontrolluar shpesh ka qenë shkaktarë që shtyllat elektrike të vendosura përmes Çarshisë të pësojnë më së keqi. Për esnafët e moçëm të Çarshisë, kjo lëvizje e motoçiklistëve aspak nuk kontribuon në ruajtjen e traditës dhe edukatës që e ka pasur ky kompleks, megjithatë mungesa institucionale, siç thonë at, e bën të veten.
Kryetari i Esnafit të Çarshisë, Bejtulla Morina, kohë më parë për gazetën KOHA, theksoi se kanë kërkuar prezencë më të madhe të policisë në Çarshie, mirëpo përgjigja e ministrisë ka qenë se nuk disponojnë me kuadër të mjaftueshëm për shpërndarjen e nëpunësve policor edhe në Çarshi. Kësisoj, ai thotë se sigurimi i ri i Çarshisë që pritet të fillojë së shpejtë, do të rregullojë edhe çështjen e prezencës së motoçiklistëve. (koha.mk)