Driton ZENKU
Gostivar, 9 maj – Prania e motoçikletave të modifikuara po vështirëson qarkullimin në trafikun urban. Dikur kanë qenë motoçikleta që shërbenin për lëvizjen e një apo dy personave, ndërsa sot janë modifikuar në mënyrë të atillë duke ju vëne rimorkio që shërbejnë për transport dhe shitje mallrash, shkruan gazeta KOHA. Këtu situata bëhet e vështirë dhe alarmante. Aksidenti i ndodhur së fundmi në qytetin e Gostivarit, kishte kosto të lartë shëndetësore për pronarin e motoçikletës së modifikuara, me ç’rast humbi njërën këmbë si pasojë e goditjes nga makina në lëvizje. Ngjarja ndodhi te ura e lumit Vardar afër thertores së qytetit. Në kundërshtim të çdo ligji dhe rregulli këto motoçikleta të modifikuara qarkullojnë në trafik ditën apo natën duke rrezikuar jo vetëm jetën e përdoruesve por edhe te qytetarëve apo drejtuesve te mjeteve që lëvizin në rruge. Pa asnjë shenjë këta motoçikleta që sot nuk mund t’i quash të tilla, ecin në çdo rrugë të qytetit dhe askush nuk i ndalon apo pengon që të dalin në rrugë. Rritja e temperaturave dhe për pasojë prania e motoçikletave në komunikacion, po shndërrohen në makth të vërtetë për drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët. Lëvizja e pakontrolluar e tyre, por edhe drejtimi nga persona adoleshentë dhe pa leje të posaçme qarkullimi, ka bërë që gjatë pranverës dhe verës, burim kryesor aksidentesh në trafikun urban të Gostivarit të jenë pikërisht motoçikletat.
Regjistrimi i motoçikletës, posedim i lejes për vozitje si dhe përgatitjet e posaçme dhe respektimi i rregullave në komunikacion, janë ndër kushtet të cilat policia i kërkon nga drejtuesit e motoçikletave. Në të kundërtën, policia paralajmëron dënime të ashpra. Me rritja e prezencës së skuterëve në komunikacion gjatë periudhës së verës, policia e Gostivarit apelon deri te drejtuesit e tyre që maksimalisht të respektojnë rregullat e trafikut. Ato rikujtohen edhe në obligimet ligjore me të cilat obligohen t’i respektojnë në qoftë se frekuentojnë komunikacionin. Mungesa e ndonjërës nga kriteret e parapara me ligj mund të godas gjepat e motoristëve nga 300 deri 500 euro. Krahas motoçikletave personale, shumica e të rinjve deri te motoçikletat vijnë duke i marrë me qira për orë të caktuara, nga firma të caktuara të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në të zezë. Policia bën me dije se gjatë kësaj periudhe, motoristët do të ndiqen në hap dhe do të përcillet çdo lëvizje e tyre dhe nëse vërehet ndonjë lëshim, pa dallim se bëhet fjalë për të rritur apo të mitur, predispozitat ligjore do të respektohen deri në fund. Nga Policia e Gostivarit thonë se vazhdimisht ndodhen në terren dhe është duke mbikëqyrur lëvizjen e biçikletave dhe motoçikletave në komunikacion, dhe për çdo parregullsi, policia do të vepron bazuar në predispozitat ligjore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara