Shkup, 4 janar – Temperatura të pazakonta të ngrohta për këtë periudhë të vitit, jo vetëm që nuk do të reflektojnë negativisht ndaj të mbjellave vjeshtore, por janë edhe të mirëseardhura për zhvillimin e tyre, thonë agro-meteorologët. Sipas Angellko Angellevskit nga DPHM-ja, kulturat e hershme vjeshtore durojnë edhe temperatura më të ulëta në kushte dimërore. Kurrfarë problemi nuk kanë as pemët dhe vreshtat e verës, ndërsa ka edhe lagështi të mjaftueshme në tokë.
“Për shkak të faktit se nuk kishte temperatura ekstreme të ulëta, koha e këtillë mundëson zhvillim të të mbjellave vjeshtore të cilët janë ende në fazë të hershme të zhvillimit. Pemët dhe vreshtat e verës gjithashtu nuk kanë kurrfarë problemi. Përkundrazi, moti i këtillë mundëson punë normale në të hapur, në fushë. Në Maqedoninë Qendrore pjeshka tashmë krasitet me të madhe”, deklaroi Angellevski.