Pasojat e ndryshimeve klimatike janë ulja e rendimenteve, cilësi më e dobët e prodhimeve bujqësore, humbje në xhepin e bujqve, paraqitja e sëmundjeve të reja, anulimi apo vonesa e mbjelljeve dhe korrjeve
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 15 gusht – Ulje e rendimenteve, cilësi më e dobët e prodhimeve bujqësore, humbje në xhepin e bujqve, paraqitja e sëmundjeve të reja, anulimi apo vonesa e mbjelljeve dhe korrjeve… janë vetëm disa nga pasojat që po sjellin ndryshimet klimatike në prodhimtarinë bujqësore në rajon dhe botë. Përvojat e fermerëve, por edhe analizat e ekspertëve bujqësorë tregojnë se ndër rreziqet më të mëdha të bujqësisë, si rrjedhojë e ndryshimit të klimës, vijnë nga thatësira, temperaturat e larta, si dhe breshëri dhe era të përcjella me shtrëngata. Eksperti i bujqësisë, Risto Vuçkov, thotë se të gjithë po shohim se për çdo sezon bujqësor po kemi ndryshime të mëdha të kushteve klimatike, ku për shembull përgjatë ditës dhe natës, kemi dallime të mëdha të temperaturave. “Kemi situata kur temperaturat e mëngjesit janë shumë të ulëta, ndërsa ditën kemi temperatura më të larta se 30 gradë celsius. Nëse kësaj i shtojmë shpesh edhe reshjet intensive të shiut, që përcillen edhe me breshër, mund të thuhet se kemi dëme të mëdha në bujqësi”, shton më tej Vuçkov. Ai thotë më tej se breshri po shkakton dëme aq të mëdha tek pemishtet në rajone të caktuara, saqë prodhuesit edhe vitin e ardhshëm nuk mund të presin rendimente. Dëmet nuk janë të vogla as tek perimet e hershme, si dhe tek kulturat e drithit për shkak se ndodh që gjatë periudhës së korrjes, kombajna të mos mund të hyjë në ara, ndërsa lagështia e madhe po dëmton edhe grurin që mund të rrëzohet edhe për toke. Në ndërkohë, fermerët akoma kanë dilemë se si të zbusin dëmet dhe të përshtaten ndaj ndryshimeve klimatike në bujqësi, me zbatimin e masave të ndryshme agro-teknike, me ndryshimin e kulturave bujqësore dhe kalimin në prodhimtarinë bujqësore më rezistuese ndaj ndryshimeve të mëdha klimatike me vendosjen e rrjeteve mbrojtëse, ndjekjen më të kujdesshme të motit.
Në kuadër të mbrojtjes së prodhimtarisë bujqësore në Maqedoninë e Veriut, prej sivjet është vendosur sistemi i teknologjisë “anti-breshër”, që pengon kristalizimin e ujit dhe transformimin e shiut në breshër, duke mbrojtur në këtë mënyrë të mbjellat bujqësore. Më 20 maj të këtij viti, Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike informoi se ka shënuar ndërhyrjen e parë të suksesshme për të parandaluar shfaqjen e breshrit me metodën e re për mbjelljen e reve me avion. Ndërhyrja e parë u krye në rajonin në jug-perëndim të Velesit, në Komunën e Çashkës, ndërsa ndërhyrja e dytë e suksesshme ishte në perëndim të Prilepit në Komunën e Dollnenit. Në këtë rajon pati një stuhi breshri, dhe pas aksionit me mbjellje të reve me avion, u vërejt dukja e rrjedhës së shiut. Nga Drejtoria për Punën Hidrometeorologjike theksuan se nëse nuk do të veprohej në kohë, paraqitja e breshrit do të kishte qenë në një shkallë shumë më të lartë dhe dëmi do të ishte shumë më i madh. Edhe në datën 7 qershor është njoftuar për ndërhyrje të suksesshme kundër breshrit në rajonin e Prespës dhe Pellagonisë. Njëherësh, më 29 qershor është vepruar edhe në rajonin e Pellagonisë, Prespës, Kratovës, Shën Nikollit dhe Koçanit në parandalimin e dëmeve që shkaktohen nga breshëri.
Nga ana tjetër, nga Ministria e Bujqësisë kanë bërë të ditur se ministri Trajan Dimkovski ka marrë pjesën mesin e muajit të kaluar në punëtorinë e organizuar nga Organizata për ushqim dhe bujqësi pranë OKB-së, apo FAO, ku është biseduar për projektin e rritjes së rezistencës së bujqësisë përmes promovimit të praktikave të mençura klimatike në bujqësi. Në takim është theksuar se ndryshimet klimatike po shkaktojnë dëme të mëdha në prodhimtarinë bujqësore dhe ndikojnë edhe në ekzistencën në vendbanimet rurale. Sidomos të ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike janë fermat e vogla bujqësore, për shkak të kapaciteteve të tyre të ulëta për përshtatje , të shkaktuara nga më shumë faktorë si edukimi i kufizuar për ndikimin e ndryshimeve klimatike, mungesën e mjeteve për testim dhe demonstrim të praktikave adaptuese bujqësore, sistemeve të pamjaftueshme për vaditje në raport me kapacitete dhe teknikat për kursimin e ujit etj.
Ndryshe, sa i takon përdorimit të rrjeteve, vlerësohet se ato janë të pranueshme për fermerët që kanë siguruar kapital fillestar dhe ndihmë për këtë gjë edhe nga subvencionet shtetërore. Mirëpo, shpesh edhe vendosja e rrjeteve kundër breshrit në praktikë është treguar joefikase për shkak të rrëzimit të tërë sistemit nën peshën e borës apo akullit. Nga ana tjetër, rrjetet janë efikase për uljen e temperaturave të larta tek të mbjellat, uljen e rrezatimit të madh nga dielli dhe mbrojtjen nga shpezët. Sa i takon, sigurimit bujqësor, ai tek ne nuk pasur ndonjë sukses më të madh si rrjedhojë e kontestimit të lartësisë reale të dëmit nga ana e kompanive të sigurimit, por edhe pagesës së një pjese të dëmit nga ana e shtetit tek të mbjellat e ndryshme bujqësore që shkaktohen nga moti i keq. (koha.mk)