Shkup, 14 janar – Skuadra e Shkëndijës tanimë disa ditë nën urdhrat e trajnerit të ri Tomas Brdariç është duke realizuar fazën e parë të përgatitjeve dimërore, ku ekipi insiston të arrijë nivel sa më të lartë fizik dhe tekniko taktik para fillimit të sezonit pranveror. Derisa, moti e keq, temperaturat e ulëta dhe të reshurat e borës, kanë bërë që skuadra të anulojë shkuarjen në Ohër, ku parashihej të realizojë fazën e dytë të përgatitjeve.
“Në Ohër nuk do të shkojmë edhe pse ishte e paraparë që ekspedita të niset të dielën. Arsyet janë të qarta, moti i keq. Derisa të martën do të shkohet në Ohër dhe ekipi do të qëndrojë një natë, por vetëm për të zhvilluar ndeshjen kontrolluese, të mërkurën me Pelisteri, ndërsa pas ndeshjes do të kthehet në Tetovë ku do të qëndrojë deri në udhëtimin për në Antalia”, thonë për KOHA nga Zyra për Marrëdhënie me Publik te KF Shkëndija.
“Në Antalia rival i parë më 24 janar do të jetë ekipi i vendit të dytë të elitës së futbollit të Azerbajxhanit, Qabala. Më 28 janar Shkëndija do të ndeshet me Termalikën (LKS Termalica Bruk-Bet Nieciecza) që renditet e katërta në Poloni. FC Podbrezova nga Sllovakia (ekipi i dytë në renditjen tabelore) është kundërshtari i radhës me të do të përballemi më 1 shkurt. Mbetet të caktohet rivali me të cilin do të përballemi në ndeshjen e fundit në Turqi më 5 shkurt, ndërsa pas kthimit nga Antalia kryesia duhet të caktojë edhe kundërshtarin me të cilin më 12 shkurt do të zhvillohet testi i fundit para startit të garave në LPFM, kur më 19 shkurt në Tetovë vjen Sileksi”.
Ndërkohë, nga skuadra kuqezi pastrojnë një dilemë në lidhje me disa emra futbollistësh të cilët u përmenden në media si përforcime të mundshme, në mesin e tyre edhe futbollisti nga Shqipëria, Elis Bakaj. “Po është e vërtetë se këto ditë është folur për disa emra rreth angazhimit të tyre tek Shkëndija, por siç edhe jeni në dijeni ne nga KF Shkëndija asnjëherë nuk përmendim emra para se gjithçka të jetë zyrtare. Është e vërtetë që ne jemi në kontakte të vazhdueshme me disa lojtarë për mundësinë e angazhimit të tyre në klubin tonë, ne kemi shumë respekt për Elis Bakajn dhe për shumë futbollistë tjerë që janë apostrofuar nga mediat këto ditë, por ne konfirmojmë që nuk kemi biseduar apo kontaktuar Elisin, pasi i njëjti nuk bën pjesë në planet tona për këtë gjysmë sezon. Bakaj është lojtar shumë cilësor dhe ne i dëshirojmë gjithë të mirat dhe shumë suksese në karrierë”, thonë nga Shkëndija.