Motër e vëlla të angazhuar në luftën kundër Coronavirusit

38

Ajo është infermiere në spitalin Infektiv në Tiranë, ndërsa ai mjek në spitalin Covid, në Pavia të Italisë. Kjo është historia e një motre dhe vëllai, të dy të angazhuar në luftën kundër coronavirus.

Eni dhe Enea Çuko rrëfejnë historinë e tyre në rubrikën Covid – Histori në Euronews Albania.

Eni punon prej vitesh si infermiere në spitalin Infektiv në Tiranë. “Ishte pavioni që më pëlqente më shumë. Për shumë të tjerë kjo mund të duket e çuditshme, se sëmundjet infektive janë një specialitet i vështirë, por për mua jo” – na tregon ajo. Megjithatë këto janë ditët më të vështira në jetën e saj profesionale. Është në kontakt të drejtpërdrejtë me të sëmurët. Çdo lëvizje apo prekje e pamenduar mund ti kushtojë infektimin. Dhe nuk janë të paktë punonjësit e shëndetësisë që kanë pasur këtë fat…

Ndërsa Enea ka profil krejt tjetër. Ai është mjek kardiokirurg në Itali. Por në këto kohë emergjencash, spitali ku ai punon “San Matteo” në Pavia, është shndërruar në spital Covid – 19. “Nuk ka rëndësi se çfarë specialiteti kemi – shprehet ai – të gjithë jemi angazhuar në luftën kundër virusit”.

Flasin shumë shpesh me njëri – tjetrin. Eni e shqetësuar se i vëllai është në shtetin më të goditur nga corona virus, ndërsa Enea, i shqetësuar sepse e motra është në kontakt shumë të afërt me pacientët, pasi kryen të gjitha veprimet mjekësore për ta. Ndërsa peshën më të madhe e mban familja e tyre në Lushnje e shqetësuar për shëndetin e të rinjve, në një kohë kur stafet mjekësore numërojnë me dhjetëra të prekur e shumë humbje jete mes tyre.

Motër e vëlla kanë treguar emocionet e tyre e mbi të gjitha si është t`ju shërbesh nga afër këtyre të sëmurëve. Dhe sigurisht edhe rëndesën psikologjike me të cilën po përballen bluzat e bardha, ndërsa shohin pacientët të humbin jetën para syve të tyre, pa asnjë të afërm që t`ju japë lamtumirën e fundit.

Megjithatë ata i japin mesazhe shprese njëri – tjetrit, duke uruar që shumë shpejt do të takohen, pasi e gjitha kjo të ketë mbetur një ëndërr e keqe!

Comments are closed.