Shkup, 2 gusht – Moti sot do të jetë me diell dhe shumë nxehtë, me temperaturë deri në 40 gradë Celsius, erë të dobët deri në mesatare do të ketë nga drejtimi veriperëndimor dhe indeksi UV do të arrijë 9. Kah fundi i ditës do të ketë paraqitje lokale të shiut të rrëmbyeshëm dhe bubullimave. Në Shkup do të jetë me diell dhe ngrohtë, pasdite me vranësira të vogla deri në mesatare. Do të fryejë erë e dobët deri në mesatare nga drejtimi veriperëndimor, ndërsa temperatura do të arrijë 37 gradë Celsius.
DPHM për nesër paralajmëron paraqitje lokale të shiut të rrëmbyeshëm dhe bubullimave. Do të ketë edhe kushte për paraqitje të izoluar të motit të keq, veçanërisht në pjesët lindore dhe veriore. Temperatura maksimale do të arrijë 38 gradë Celsius, ndërsa indeksi UV 8. Të dielën moti do të jetë me diell me vranësirë të vogël deri në mesatare dhe me erë mesatare deri në të përforcuar nga drejtimi verior. Temperatura do të arrijë 35 gradë, ndërsa indeksi UV 9. Ngjashëm do të jetë edhe të hënën.
“Gjatë uikendit do të fryejë erë mesatare deri në të përforcuar veriperëndimore, që do të kushtëzojë nga e diela të ketë rënie të vogël të temperaturave”, informon DPHM.
Për shkak të temperaturave të larta sot dhe nesër, Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim apelon te vetëqeverisja lokale, qytetarët dhe vizitorët të mos hedhin cigare, mbeturina të qelqit dhe shishe, të mos ndezin zjarr në hapësirë të hapur dhe në pyll ose material tjetër djegës, as kashtë, dhe nëse vërejnë zjarr menjëherë ta lajmërojnë Njësinë territoriale të zjarrfikësve në numrin falas të tel 193.
Konfederata e sindikatave të lira të Maqedonisë (KSL), sërish, rekomandon të respektohen masat dhe rekomandimet për mbrojtje të punëtorëve të cilët punojnë në vende të hapura: ndërtimtari, bujq, kopshtarë, nëpunës në komunikacion, shitës në tregjet e hapura, zjarrfikës, policë, ushtarë,…Sipas Ligjit për siguri dhe shëndet gjatë punës, përkujton KSL, duhet të sigurohen kushte adekuate për punë të cilat nuk do ta rrezikojnë edhe shëndetin e punëtorëve. Konfederata rekomandon shmangie të punës në vend të hapur në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00, reduktim të punës së rëndë fizike, pushime më të shpeshta dhe kujdes të veçantë me punëtorë më të moshuar, të sëmurë kronik, gra shtatzëne.