Shkup, 9 dhjetor – Moti sot do të jetë kryesisht i vranët me reshje lokale të shiut, ndërsa në pjesët lindore do të ketë kushte për paraqitjen e bubullimave. Në orët e mëngjesit dhe të paradites në shumë vende priten reshje të mëdha të cilat lokalisht do të arrijnë mbi 20 litra në metër katror. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor, ndërsa temperatura ditore do të jetë në interval prej 10 deri në 16 gradë.
Në Shkup do të jetë moti i vranët me reshje të shiut, të cilat kohë pas kohe do të jenë më të mëdha, veçanërisht paradite dhe rreth drekës. Do të fryjë erë mesatare kryesisht perëndimore. Temperatura do të arrijë 13 gradë.
Në ditët e kaluara më së shumti shi, 24 litra në metër katror ra në Kriva Pallankë, 22 në Berovë, Strumicë dhe Demir Kapi, 20 në Prilep, 19 në Gjurishte, 18 në Shtip, 16 në Pozharanë dhe Mavrovë, 13 në Shkup te vendi Zajçev Rid, 12 në Vinicë, 11 në Tetovë dhe Gjevgjeli, 10 në Dojran, nëntë në Manastir, gjashtë në Shkup te Petroveci, pesë në Krushevë, katër në Topollçan, tri në Dibër dhe dy litra në metër katror në Llazaropole.
Siç informon Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) në periudhën e ardhshme do të mbizotërojë mot i ndryshueshëm me vranësira dhe jostabil me reshje të përkohshme të shiut. Lokalisht proceset do të jenë më intensive, të shoqëruara me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë të përforcuar. Më shumë periudha diellore dhe mot kryesisht stabil do të ketë të enjten.