“Mos caktimi i datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, më shumë ka shkaktuar tronditje të brendshme sesa në relacionet Shkup-Athinë. Por, “JO”-ja e Brukselit mund të konsiderohet fillim i një tërmeti politik pas Prillit të vitit 2020″, kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike dhe të sigurisë, duke folur për KOHA për refuzimin e Brukselit për caktimin e datës për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë dhe Shqipërinë
Destan JONUZI
Shkup, 24 tetor – A do të shkaktojë “tërmet” politik në relacionet mes Maqedonisë dhe Greqisë, “JO”-ja e Brukselit për datën? Si do të zbatohet Marrëveshja e Prespës, në pjesën e cila në mënyrë të drejtpërdrejt është e lidhur me hapjen e kapitujve të BE-së. Nga Qeveria nuk kanë dilema, Marrëveshja do të zbatohet pa problem.
Selim Ibraimi, nga Instituti ISSD-Maqedonia thotë se “JO”-ja e Brukselit për Maqedoninë më tepër ka shkaktuar një tronditje të brendshme sesa në relacionet Shkup-Athinë. “Në proces afatgjatë nuk mendoj se do të ketë pasoja për sa i përket Marrëveshjes së Prespës. Parë nga një këndvështrim realist, qëndrimi negative i Këshillit të Evropës duhet t’i forcojë marrëdhëniet në mes dy vendeve pasi një JO për Maqedoninë dhe Shqipërinë do të thotë një Greqi jo stabile. Megjithatë qeveria aktuale dhe të tjerat që do të vinë në Maqedoni duhet të vazhdojnë procesin e reformave të vërteta e jo kozmetike duke dhënë sinjale tek partnerët evropianë se data nuk është me rëndësi por reformat thelbësore që vërtetojnë se Maqedonia ka ndryshuar dhe qytetarët i vërejnë po të njëjtat”, thotë për KOHA, Selim Ibraimi, analist.
Nga ana tjetër, Zhidas Daskalovski profesor në Fakultetin e Sigurisë, potencon se mos caktimi i datës për fillimin e bisedimeve ka kthyer vëmendjen e qytetarëve nga Qeveria, siç shprehet ai, jofunksionale dhe e korruptuar e Zoran Zaevit.
“Në rast se Maqedonia merrte datë, Qeveria do të kishte arsye që të mos pranonte zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kështu, ato do të mbahen dhe mund të pritet luftë politike në të cilën partitë opozitare kanë shansin për sukses dhe krijimin e shumicës së re parlamentare. Një zhvillim i tillë i ngjarjeve sigurisht se nuk është i dëshiruar për Athinën. Përkatësisht, është e vështirë për çdo qeveri të ardhshme të jetë një mbështetës i zellshëm i Marrëveshjes së Prespës, dhe i afrimit të me Greqinë në aspektin politik dhe të biznesit, në kurriz të marrëdhënieve me fqinjët e tjerë”, deklaroi për KOHA, Daskalovski. Sipas tij, një Qeveri e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, sigurisht se nuk do të vazhdojë ta mbështesë Marrëveshjen, përkundrazi do të bëjë gjithçka që ta rikthej emrin kushtetues të shtetit.
“Ajo Qeveri do të ketë tendencë që ti balancojë raportet edhe me Tiranën, Sofjen dhe Beogradin të cilat janë lënë pas dore për momentin në emër të marrëdhënieve të mira me Athinën. Për këtë arsye “JO”-ja e Brukselit mund të konsiderohet fillim i një tërmeti politik i cili mund të ndikojë në raportet mes Maqedonisë dhe Greqisë pas Prillit të vitit 2020″, vlerëson profesor Daskallovski.
Ndryshe, sipas Marrëveshjes së Prespës të gjitha dokumentet për përdorim të brendshëm në pajtueshmëri me nenin 1 paragrafi 3, duhet të ndryshohen, gjatë hapjes së do kapitulli në bisedimet me BE-në, ndërsa të njëjtat ndryshime duhet të finalizohen në afat prej pesë viteve nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes. Ndërkohë, ndryshimin e emrit të Maqedonisë për përdorim të brendshëm gjatë ndryshimeve Kushtetuese, Qeveria dhe kryeministri Zoran Zaev, e kanë garantuar pikërisht me fillimin bisedimeve me BE-në dhe hapjen e kapitujve. (koha.mk)