Është një hapësirë tjetër shqiptare, më e gjerë dhe më e hapur që nuk e meriton të helmohet nga bombolat gaspërçuese të elitës që mosmarrëveshjen e ka shndërruar në kod normal të sjelljes politike
Nga Emin AZEMI
Konfuziteti politik në Kosovë, si pasojë e boshllëkut institucional, grindja në mes të pushtetit dhe opozitës në Shqipëri, si dhe mungesa e konsolidimit intelektual të politikës shqiptare në Maqedoni, kanë shtruar domosdonë e ekzistimit të një autoriteti moral, i personifikuar në një kastë intelektualësh të paanshëm, apo të një grupimi mbipartiak. Dikur këtë rol mundohej ta luante Sabri Godo, herë-herë Adem Demaçi, ndërkohë që aktualisht Ismail Kadare, çuditërisht po hesht. Ky i fundit më herët ishte më i zëshëm. Disa të tjerë që shiten si të pavarur, më mirë është të heshtin.
Shqipëria, por edhe Kosova dhe Maqedonia shqiptare po vuan nga kriza e autoritetit moral të njerëzve të dijes, shkencës, intelektit. Më tepër se kurdo herë më parë, ka nevojë për një zë të arsyes që do të dilte mbi palët. Për një zë qetësues që do të na zbërthente enigmat nëpër të cilat po kalojmë. Mungon një mendim kompetent shkencor e intelektual mbi zhvillimet politike, të cilat kanë impakt të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, siç është bie fjala ideja e Mini Shengenit ballkanik. Për këtë ide çuditërisht po hesht edhe Rexhep Qosja.
Nëse dikur Adem Demaçi në Kosovë, apo Sabri Godo në Shqipëri e “shkrepnin” nga një fishek për të qartësuar situatat, sot këtë kanë mbetur ta bëjnë mediat dhe analistët. Por, pikëllimi të mbërthen kur nëpër studio televizive më tepër bëhet zhurmë se sa që artikulohet ndonjë mendim i qartë. Pikëllimi e trishtimi të kaplon kur dëgjon broçkulla nëpër studio, të cilat që nga avioni duken si tulla që renditen në murin e bedenave të njërës apo palës tjetër (politike).
Nëpër studiot e Tiranës shkon dhe ndonjë ‘mendjendritur’ nga Prishtina, të cilët ta bëjnë verën dimër me krahnezin e fjalëve të ftohta për kundërshtarin politik, të cilin ata e projektojnë varësisht nga centimetrat e interesave private që kanë në oborret oligarkike të Tiranës.
Hiq më mirë nuk është as në Prishtinë e Shkup.
Merre si ta marrësh, krejt kjo situatë kaotike po mbetet në duart e popullit të mençur, i cili duhet kategorish të refuzojë rolin e grigjës. Viti 1997 nuk është aq larg sa për të mos kujtuar skenat e llahtarshme të kaosit, ku populli doli nga ‘shtrati’ i normalitetit jetësor për faj të mungesës së një timonieri moral. Atëherë ishte depresioni financiar që shkallmoi institucionet dhe nxori në pah një Shqipëri tjetër, që s’e kishim njohur më parë, kurse tani depresioni ka përmasa të tjera por më të menaxhueshme, sa për të mos u ‘derdhur’ në rrugët pa kthim të theqafjes.
Shqipëria, Kosova, Maqedonia shqiptare dhe hapësirat tjera shqiptare në Ballkan, si koncepte kulturore e ekonomike shkojnë përtej bedenave idioteske që i ka vendosur kasta politike. Është pra një hapësirë tjetër shqiptare, më e gjerë dhe më e hapur që nuk e meriton të helmohet nga bombolat gaspërçuese të elitës që mosmarrëveshjen e ka shndërruar në kod normal të sjelljes politike. (koha.mk)