Konsolidimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës se Maqedonisë se Veriut, është i varur nga lidhja e marrëveshjeve ndërkombëtare përkatëse. Kjo imponon amendamentime Kushtetuese. Partitë politike shqiptare ne Maqedoni, këto amendamentime duhet t’i shfrytëzojnë edhe për rregullimin e garantimit të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Maqedoni. Anëtarësimi i Maqedonisë ne organizata dhe institucione ndërkombëtare nuk do te thotë edhe garancinë për realizimin e te drejtave te qytetareve te shtetit anëtar. Prandaj duhet të veprohet tani, se dikur do të jetë vonë dhe e kotë
Nga Kasam HASANI
(vijon nga numri i kaluar)
Orvatje për rregullimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe është bërë edhe me miratimin e Ligjit mbi Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoni. Por, edhe me këtë Ligj nuk rregullohet në tërësi çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, ngase me këtë Ligj rregullohet përdorimi zyrtar edhe i gjuhëve të pakicave tjera, kurse me ligj të veçantë rregullohet përdorimi i gjuhës maqedone. Për këto shkaqe opozita maqedonase ka ushtruar kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë se dispozitave te këtij Ligji, pranë Gjykatës Kushtetuese në Maqedoni. Vlen të cekim se përdorimi zyrtar i barabartë i gjuhës shqipe dhe asaj serbo-kroate në Kosovë është rregulluar me ligj qysh në vitin 1970, me të cilin ligj serbëve u sigurohej përdorimi i barabartë i gjuhës së tyre edhe pse ishin 11% në strukturën e përgjithshme të popullatës në Kosovë. Moszbatimi i dispozitave të këtij ligji sanksionohej si vepër penale, për të cilën parashihej dënim me burg me kohëzgjatje deri në 1 vit. Në Maqedoni edhe pas 50 vitesh nuk sigurohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe dhe atë për popullatë që në strukturën e përgjithshme ka pjesëmarrje prej 30%.
Sa i përket përdorimit të Flamurit kombëtar, si dhe atij shtetëror në Maqedoni, kjo çështje është e rregulluar me ligj të veçantë. Mirëpo, përdorimi i flamujve e veçanërisht të atij kombëtar, në praktikë bëhet në kundërshtim me dispozitat e ligjit, ku nuk reagojnë as organet shtetërore ashtu që ky flamur vendoset vend e pa vend. Ndodh që flamuri i vendosur të valojë disa javë e muaj të tërë e askush të mos reagojë, me çka humbet edhe rëndësia e flamurit si simbol kombëtar.
Në vitin 2011, në Maqedoni u organizua Regjistrimi i popullsisë. Mirëpo, ky regjistrim u ndërpre pas punës intensive, disa mujore. U shpenzuan mjaft mjete financiare për këtë qëllim, sipas mjeteve të informimit publik, janë harxhuar rreth 2.5 milionë euro. Regjistrimi papritmas u ndërpre, e shkaku i kësaj zyrtarisht asnjëherë nuk u komunikua, por në opinion dhe mjete të informimit thuhej se regjistrimi është ndërprerë për shkak se në Maqedoninë Lindore një numër i madh i popullsisë u deklaruan se i përkasin kombësisë bullgare. Gjithashtu thuhej se regjistrimi është ndërprerë, me ndikim të disa funksionareve shtetëror. Opinioni është njoftuar përmes mjeteve të informimit se kishte filluar procedurë penale kundër disa funksionareve shtetërorë, për dëmtimin e buxhetit. Duhet theksuar gjithashtu, se për ndërprerje të këtij regjistrimi, në Parlamentin e Maqedonisë u aprovua ligj i veçantë, në të cilin përveç të tjerash, shprehimisht është paraparë që materiali i regjistrimit të pakryer të asgjësohet-digjet.
Në periudha të ndryshme, qindra, mijëra maqedonas kanë fituar shtetësinë e Republikës së Bullgarisë, ndër të cilët ka edhe shumë funksionarë të lartë, deputetë, ministra, zëvendësministra, drejtorë të ndërmarrjeve, etj.
Duke qenë se Greqia gjithnjë ia kontestonte emrin, territorin, historinë, simbolet shtetërore, etj., Maqedonia nuk mundi të regjistrohej në OKB me këtë emër, por vetëm me fusnotën FYROM (ish Republika Maqedone e Jugosllavisë). Për zgjidhjen e këtij kontesti mes Greqisë dhe Maqedonisë, janë caktuar edhe përfaqësues të lartë ndërkombëtar të OKB-së dhe BE-së, ku përpos angazhimit të tyre, ky kontest nuk u zgjidh për plot 27 vite. Elita politike në Maqedoni edhe më tutje bënte orvatje për konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Maqedonisë. Kështu, u organizua edhe referendum gjithë popullor për çështjen e emrit të Maqedonisë. Kështu, në bazë të marrëveshjes së arritur midis kësaj Republike dhe Greqisë, Maqedonia u pajtua që të ndryshoje emrin e autostradës në Maqedoni, emrin e aeroportit ndërkombëtar në Shkup, të tërheqë dhe ndryshojë disa përmendore me figura nga antikiteti, si dhe çështje të tjera qe iu imponuan nga Greqia. E gjithë kjo u arrit në bazë të Marrëveshjes së Prespës, të lidhur mes Greqisë dhe Maqedonisë në vitin 2019. Në fund Maqedonia në bazë të kësaj marrëveshje u detyrua të ndërrojë edhe emrin dhe të emërohet si Republika e Maqedonisë së Veriut. Edhe pse opozita greke deklaronte se është kundër marrëveshjes, për shkak se e konsideron termin “Maqedoni” vetëm si nocion me domethënie gjeografike. Mirëpo, me ardhjen në pushtet të kësaj opozite pas disa muajsh, ajo në tërësi pranoi zbatimin e Marrëveshjes. Opozita në Maqedoni, partia politike VMRO DPMNE, në mënyrë permanente ka qenë dhe është kundër Marrëveshjes së Prespës dhe kërcënon se nëse vjen në pushtet, përveç të tjerash Maqedonisë do t’ia kthejë emrin e mëhershëm, pa prapashtesën “E VERIUT”, duke u thirrur në parregullsitë e referendumit të vitit 2018. Mirëpo ky mbetet një kërcënim i pabazë, duke pasur parasysh parimin “pactasuntservanta”, si dhe konventat për marrëveshje ndërkombëtare, që nënkuptojnë se marrëveshjet janë të obligueshme dhe duhen zbatuar. Benefit i kësaj marrëveshje për Maqedoninë ishte anëtarësimi i saj në asosacionin ndërkombëtar më të fuqishëm ushtarak, NATO-në, në vitin 2019.
Sfidë tjetër e Maqedonisë në pranimin në Organizata Ndërkombëtare, respektivisht në BE, paraqesin edhe mosmarrëveshjet me Bullgarinë. Ajo vazhdimisht e kundërshton dhe pengon anëtarësimin e Maqedonisë ne BE, për shkak të mosmarrëveshjeve tradicionale të cekura edhe më lartë, lidhur me faktin se Bullgaria konsideron se popullata e Maqedonisë është popullatë me prejardhje bullgare, se gjuha maqedone është vetëm dialekt i asaj bullgare, se heronjtë, shkrimtarët dhe dijetarët që Maqedonia i paraqet si maqedonas, realisht janë bullgarë, se territori i Maqedonisë ka qenë territor bullgar që pa të drejtë pas Luftës së Parë Botërore i është dhënë Serbisë, dhe se e gjithë kjo është pjellë e Serbisë.
Për zgjidhjen e çështjeve kontestuese mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, zhvillohen negociata me qellim të arritjes së një marrëveshjeje. Për lidhjen e kësaj marrëveshjeje, Maqedonia ka përkrahje edhe nga komuniteti ndërkombëtar, respektivisht SHBA, e cila ka kërkuar nga BE, që kjo e fundit të insistojë dhe ndikojë te Bullgaria për arritjen e kompromisit mes dy vendeve. Kjo marrëveshje do të ishte një hap drejt pranimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Opozita maqedonase gjithashtu kundërshton lidhjen edhe të kësaj marrëveshjeje.
Nga e gjithë kjo, mund të konstatojmë se konsolidimi i subjektivitetit ndërkombëtar te Republikës se Maqedonisë se Veriut, është i varur nga lidhja e marrëveshjeve ndërkombëtare përkatëse. Kjo imponon amendamentime Kushtetuese. Partitë politike shqiptare në Maqedoni, këto amendamentime duhet t’i shfrytëzojnë edhe për rregullimin e garantimit të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Maqedoni. Anëtarësimi i Maqedonisë ne organizata dhe institucione ndërkombëtare nuk do te thotë edhe garancinë për realizimin e te drejtave te qytetareve te shtetit anëtar. Prandaj duhet të veprohet tani, se dikur do të jetë vonë dhe e kotë. (fund)
(Autori është ish-Kryeprokuror i Prokurorisë së Lartë në Shkup)