Kultura e mosndëshkimit të krimit dhe korrupsionit, që u instalua edhe në pushtetin ri, është pengesa kryesore e mosarritjes së një kompromisi për formimin e Prokurorisë së re që do të merrej me ndjekjen e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta
Nga Emin AZEMI
PSP shkoi në histori, kurse rastet e montuara ‘Monstra’, ‘Kumanova’, ‘Alfat’ etj. vazhdojnë si merimanga të ngatërrohen nëpër labirintet e gjyqësorit ende të pareformuar të vendit. Gruevizmi ndonëse i larguar edhe fizikisht, ai sërish po lëshon hije të thellë mbi procesin që duhet të ndaj të sotmen nga e kaluara. Nëse jeni kureshtar të dini se si pushteti i ri po punon ndryshe nga pushteti i kaluar, shikojeni gjyqësorin. Nga kjo që shihet tani, fitohet përshtypja se pushteti i vjetër, si frymë dhe si metodologji, ende nuk i ka shkulur definitivisht rrënjët nga sistemi i drejtësisë.
Nuk ka arrestim të peshqve të mëdhenj, nuk ka çmontim të rasteve të montuara dhe nuk ka ndryshim të strukturës së gjyqtarëve e të prokurorëve, që do të ishin fytyra e re e sistemit të drejtësisë.
Formimi i një Prokurorie të re e cila do të ndjek korrupsionin dhe krimin e organizuar, siç e ka kërkuar pushteti, ka mbetë vetëm një nismë pa epilog. Sikundër mund të shihet lëndët e Prokurorisë Speciale Publike të hapura pas qershorit të 2017 mbeten pengesa e kompromisit mes pushtetit dhe opozitës. Kjo e fundit kërkon që çdo akuzë e shtruar pas qershorit 2017 të shkatërrohet, ndërkohë që Kryeministri Zaev pretendon se veprat penale nuk mund të fshihen.
Mospajtimi midis pushtetit dhe opozitës rreth formimit të Prokurorisë së re, mbetet ndjekja e veprat penale që burojnë nga materialet e përgjuara nga viti 2008-2015. Opozita kërkon që kufizimi të hiqet dhe çdo përgjim i siguruar në mënyrë jo ligjore nga viti 2015 e më tej që do të mund të ishin indikacione për vepra penale, si dëshmi në procedurë.
Një dallim tjetër që e bën hendekun të pakapërcyeshëm në mes pushtetit dhe opozitës mbetet edhe fati prokurorëve special. Kjo e fundit kërkon kthimin e tyre në Prokuroritë amë, pjesa tjetër e ekipit t’i nënshtrohet filtrit të nepotizmit dhe më pas të sistemohen në përputhje me nevojat e organit të akuzës për ndjekje të krimit të organizuar.
Politika po mban peng reformat në sistemin e drejtësisë dhe ajo drejtpërdrejt mban përgjegjësi për imazhin negativ që mund të jetë shkak i vonesës së datës së negociatave për anëtarësim në BE. Hapësira që pushteti aktual ia la eksponentëve të pushtetit të kaluar, të cilët ishin bartës të veprave të rënda penale, tani po e paguan tagrin e vet. Kultura e mosndëshkimit të krimit dhe korrupsionit, që u instalua edhe në pushtetin ri, është pengesa kryesore e mosarritjes së një kompromisi për formimin e Prokurorisë së re që do të merrej me ndjekjen e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta.
Derisa të vazhdojë kjo avari në moskonsolidimin e mirëfilltë të sistemit të drejtësisë, njerëzit e pafajshëm do të vazhdojnë të paguajnë në lëkurën e tyre pasojat e një politike që prodhoi vuajtje e mjerim për një pjesë të pambrojtur të popullatës. Askush nuk di ta shpjegojë se si është e mundur që edhe në vitin 2019 të kemi trajta të patretura të sistemeve totalitare, ku njerëzit vuanin pasojat e sistemeve monstruoze gjyqësore, me montime e shantazhe që lidhje s’kishin me drejtësinë dhe shtetin ligjor.
Nëse një pushtet nuk arrin t’i largoj këto trajta totalitare nga praktika e veprimit dhe sistemi i mendimit, atëherë është e kotë të pretendohet për ndonjë ndryshim substancial të sistemeve. Në thelb mbetet diçka që nuk kalbet e që lidhet me fatet e njerëzve. Moskalbja e mendësisë së vjetër është fataliteti më i madh i njerëzimit. (koha.mk)