Mislim Zendeli, doktor i shkencave nga sfera e turizmit, shprehet se anashkalimi i këtij rajoni nga ana e shtetit nuk është bërë vetëm në sferën e turizmit, por edhe në shumë sfera të tjera, prandaj edhe ka ngecje në zhvillimin e turizmit të mirëfilltë
Urim HASIPI
Tetovë, 7 tetor – Rajoni i Pollogut ndonëse ka shumë vende atraktive për zhvillimin e turizmit, megjithatë në këtë aspekt ngecë shumë. Mali Sharr në këtë pjesë të Maqedonisë së Veriut që ka shumë potenciale për të tërhequr turistë të huaj, në realitet nga ana e shtetit nuk është bërë asgjë për avancimin e kësaj sfere të rëndësishme të ekonomisë, shkruan gazeta KOHA.
Njohës të sferës së turizmit theksojnë se mos zhvillimi i këtij segmenti në Tetovë është pasojë e mos interesimit të faktorit politik në vend. Mislim Zendeli, doktor i shkencave nga sfera e turizmit, shprehet se anashkalimi i këtij rajoni nga ana e shtetit nuk është bërë vetëm në sferën e turizmit, por edhe në shumë sfera të tjera, prandaj edhe ka ngecje në zhvillimin e turizmit të mirëfilltë. “Rajoni i Pollogut ku i takon Komuna e Tetovës është anashkaluar jo vetëm në aspektin e zhvillimit të turizmit, por edhe në aspekte të tjera ekonomike, dhe kjo nuk do shumë mend sepse shihet në terren, dhe në këtë aspekt Kodra e Diellit është lënë pas dore me vite, duke pasur parasysh se faktori politik nuk ka pasur interes që të merr iniciativa për investime të mirëfillta për përgatitjen e shtigjeve, infrastrukturës turistike e kështu me radhë. Ne mund të flasim tërë ditën për problemet me të cilët ballafaqohet Komuna e Tetovës, por edhe më gjerë dhe vijmë deri te përfundimi se fajtorë megjithatë janë edhe bizneset private që nuk janë shumë të interesuara për investime”, thotë Mislim Zendeli.
Nga ana tjetër, edhe ato pak subvencione që janë dhënë nga shteti për ngritjen e kapaciteteve për akomodim të turistëve, kanë qenë të vogla. Sipas Zendelit, ka munguar edhe informimi publik për këto subvencione. “Sipas mendimit tim, këto subvencione që janë dhënë për turizmin rural kanë qenë subvencione shumë të vogla, krahasuar me nevojën që paraqitet. Me një shumë prej tre apo katër mijë eurove, rrallë kush mund të krijojë kushte për pranimin e turistëve. Në veçanti për turistët që kërkojnë shërbime agro-turistike, nëse marrim të krahasojmë subvencionet që i ka dhënë Shqipëria, ku janë dhënë shuma të majme këtyre pronarëve të shtëpive, lokaleve, dhe pastaj ato i kanë shndërruar në atraksione turistike. Një prej shkaqeve mendoj se ka qenë mos interesimi dhe financat e pakta, prandaj edhe nuk mund të arrihet qëllimi i caktuar”, shprehet ai.
Zhvillimi i turizmit është lidhur ngushtë me shpalljen e Malit Sharr si Park Kombëtar.
“Gjithmonë kur është dashur që Mali Sharr të mbrohet dhe të shpallet Park Kombëtar, gjithmonë janë paraqitur zëra se do të ketë dëme për banorët lokal, që nuk është e vërtetë. Por dëmet janë bërë, Mali Sharr është shkatërruar nga prerjet e panevojshme të pyjeve, dhe kjo ka ndodhur për faktin se ne nuk kemi pasur mundësi ta mbrojmë. Edhe pse ka patur iniciativa, ato kanë qenë të zbehta. Mendoj që një iniciativë e krijimit apo formësimit të Malit Sharr në formë të një Parku Turistik dhe Kombëtar, do të ishte një hap i madh drejt mbrojtjes së të mirave materiale të Malit Sharr”, theksoi Zendeli.
Përderisa qeveria ende nuk ka sjellë vendim për shpalljen e Malit Sharr si Park Kombëtar dhe më pas procedura të kalojë në Kuvend për miratim, në terren situata paraqitet e rëndë, ngase prerja ilegale e drunjve është prezent pothuajse në çdo pjesë të Sharrit. (koha.mk)