Policja e parë e graduar në Kosovë, Luljeta Mehmeti-Quigley gjatë rrëfimit për gazetën “Zëri”, kujton edhe momente të vështira, të cilat i përjetoi gjatë viteve. Ndër ato që s’do t’i harrojë kurrë është rënia në detyrë e kolegëve.
Por as lotët Luljetën, e cila tani mban gradën “major”, nuk kishin arritur t’ia ndalonin punën.
“Më kujtohet shtatori i vitit 2001 kur zyrtari policor Lazim Rexhepi ka rënë në krye të detyrës. Nuk kisha as dy vjet të plotë si police dhe sa u pata promovuar në gradën e “rreshterit”. M’u kërkua nga Komisari i Policisë që ta moderoja ceremoninë e varrimit të kolegut. Unë nuk mund t’i ndalja lotët dhe ndër lot kam udhëhequr gjatë tërë ceremonisë”, tregon ajo për gazetën.
Megjithëkëtë, për Mehmetin ekziston një rregull. Gjërat nuk duhet të shikohen vetëm si të vështira. Sfiduese po, por asnjëherë të pakapërcyeshme. Sidoqoftë, vetë bartja e uniformës është një sfidë në vete, pasi prej momentit që nis ta bartë atë më nuk përfaqësohet individi, por institucioni, shteti. Ky përkufizim vlen edhe për Luljetën, shkruan tutje “Zeri”.
“Mënyra sesi e bën ti këtë përfaqësim është shumë e rëndësishme në ndërtimin e imazhit, edhe të institucionit, edhe të Kosovës diku jashtë. Në momentin që jam në uniformë unë nuk jam Luljeta, unë jam zyrtare e Policisë së Kosovës, unë përfaqësoj institucionin”, thotë ajo, teksa shton se ndien kënaqësi shpirtërore në momentin që vesh uniformën.
Mehmeti kohë më parë kishte punuar edhe në Parlamentin e Kosovës. Me kënaqësi kujton kohën kur kishte qenë pjesëmarrëse edhe në legjislaturën e parë të Kuvendit dhe në zgjedhjen e presidentit të parë. “Kam kaluar në pozita të ndryshme dhe, pavarësisht të gjitha këtyre sfidave ose rrethanave që na janë krijuar gjatë punës, asnjëherë nuk e kam menduar të largohem nga Policia e Kosovës”, shton ajo.