Pas një jave të trazuar në Kuvend, e sidomos pas ditës së djeshme kur dy deputetë të infektuar me COVID-19, shkuan në shtëpinë ligjvënëse për të votuar, kryeparlamentari Talat Xhaferi doli në konferencë për të sqaruar. Foli aq shumë, herë në shqip e herë në maqedonisht, aq sa që bateritë e kamerave u harxhuan, e transmetimi në faqen e Facebookut të TV21 u ndërpre për disa çaste.
Pas një ore shpjegim ngjarjesh e procedurash, më në fund gazetarët mund të pyesnin.
TV21:A nuk ishit ju të sigurt që opozita do të krijonte kushte për votim?
“Po gjithsesi se nuk kam qenë i sigurt nga përvoja që e kam me disa seanca paraprake, tash si të jem i sigurt unë kur disa seanca është dashur t’i mbajnë, nuk kanë ardhur, ku të jem i sigurt”, tha Talat Xhaferi – kryetar i Kuvendit.
Edhe deputetja e LSDM-së, Snezhana Vançeva, thotë se nga pasiguria nëse opozita do të votojë ose jo pakon e 5 të masave ekonomike, e bëri shumicën që deputetë me koronavirus të vijnë për të votuar. Kësaj here puna nuk i duhej lënë rastësisë, shton ajo.
“E dini se paraprakisht ishin jashtë sallës dhe e dini se muajt e fundit asnjëherë nuk kemi qenë të sigurt kur do të hyjnë në sallë, kur do të dalin dhe nëse do të votojnë”, u shpreh Snezhana Kalevska Vançeva – deputete e LSDM-së.
Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, praninë e deputetëve të infektuar në Kuvend e quan terrorizëm biologjik, për të cilën duhet të ketë përgjegjësi. Thotë se gjithsesi që opozita do të votonte për pakon e pestë.
“Po sa herë ta shpjegoj pakon e masave se ne donim, unë kërkova që të votohet… gjithë opozita të enjten kërkoi që të votohet pakoja e pestë e masave. Nuk ishte kontestuese kjo pako. Kontestuese ishte procedura se si të vihet në situatë në këtë që ndodhi që të mund të imponojnë deputetë pozitivë dhe shikoni, janë aq… si të them… se nëse kjo ndodh në të ardhmen do të vazhdojnë që t’i sjellin”, potencoi Nikolla Micevski – Koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.
Se deputetë të infektuar do të vazhdojnë të vijnë në Kuvend, nuk e mohon as deputetja Vançeva, e as kryeparlamentari Xhaferi.
TV21:A do të shndërrohet kjo në praktikë të Kuvendit që deputetë të infektuar të vijnë për të votuar?
“Po nëse e kërkon nevoja për interes të qytetareve, me protokollet që sigurojnë siguri për çdo një që është në parlament dhe për vetë ata që janë të prekur, nëse rrethanat lejojnë, gjendja shëndetësore e tyre shëndetësore lejon, gjithsesi se nuk përjashtohet edhe më tutje të tejkalohet kushtëzimi…”, shtoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Deputetët nuk ka pengesë për lëvizje, madje as në gjendje lufte, shpjegoi Xhaferi. Mbetet të shihet ditëve në vijim nëse sërish deputetë të infektuar do të vijnë në seanca për të votuar. Rast i vetëm para këtij, ka qenë para disa muajsh kur deputeti Arben Ziberi shkoi në Kuvend, por ai nuk ka qenë i infektuar, por vetëm i dyshuar për shkak të kontaktit me një të sëmurë.