MOSBESIMI NDAJ COVID-19, NË RRITJE! Konspiracionet më të shpejta se virusi

34

Gjendja me spitalet e stërmbushura dhe apelet e vazhdueshme të mjekëve për kujdes, te një pjesë e qytetarëve nuk po krijon besim në realitetin e hidhur, në shkencë dhe në atë që po ballafaqohemi për çdo ditë

Xhenur ISENI

Shkup, 15 prill – Pas më shumë se një viti nga fillimi i pandemisë së Covid-19, në të cilën Maqedonia e Veriut përjetoi vdekshmërinë më të madhe dhe në situatë kur për çdo ditë po numërohen dhjetëra viktima si pasojë nga virusi, situatë ku po vdesin të rinj e pleq, mjek, sportist, klerik, por edhe përskaj gjithë kësaj katrahure, një pjesë e qytetarëve ende besojnë në teori të konspiracionit se virusi korona nuk ekziston. Gjendja me spitalet e stërmbushura dhe apelet e vazhdueshme të mjekëve për kujdes, te një pjesë e qytetarëve nuk po krijon besim në realitetin e hidhur, në shkencë dhe në atë që po ballafaqohemi për çdo ditë. Çfarë është ky mentalitet i mohimit dhe mosbesimit? Nga rrjedh dhe ku bazohet kjo sjellje, cila është arsyeja për mosbesim, janë vetëm disa nga dilemat për të cilat vështirë është të gjendet sqarim. Sociologët komentojnë se disa nga qytetarët me këtë mosbesim demonstrojnë papërgjegjësi dhe papjekuri serioze. Mjafton vetëm të hapen rrjetet sociale dhe të lexohen komentet që kanë të bëjnë me informacionet rreth virusit korona, sidomos ato informacione që janë të lidhura me ditët të ardhshme të festave dhe paralajmërimet për restrikcione të reja.

Reagime të shumta shkaktoi edhe deklarata e Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili ftoi klerikët fetarë të apelojnë deri te besimtarët që për festat e ardhshme të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të mos organizojnë festa masive. Është i madh numri i personave që thonë për veten se janë besimtarë, të cilët reagojnë ashpër duke mos zgjedhur fjalë, në mbrojtje të konspiracioneve dhe tezave se paralajmërimet për restrikcione janë kundër Zotit dhe besimit. Shqetësuese është se një pjesë e madhe e njerëzve nuk besojnë edhe për vdekshmërinë e personave nga Covid-19, as edhe në lajmin se dy klerik nga KOM gjenden për kurim në Spital për shkak të infektimit me Covid-19 dhe kanë gjendje të rënduar shëndetësore, ndërsa në rrjetet sociale krijojnë teori konspirative të llojeve të ndryshme. Sociologu Skender Iseni thotë se gjendja e tillë në shikim të parë duket e thjeshtë, por është proces i ndërlikuar, që reflekton mes popullit.

“Kur në opinion qarkullojnë shumë mendime që dalin nga e ashtuquajtura ‘grupi profesional’, ndërsa shpesh edhe për komprometim të opinionit për ndonjë fenomen të caktuar e cila është e një interesi të përgjithshëm, në rastin konkret rreth Covid-19, atëherë logjikisht peshë do të marrin teoritë e konspiracionit. Nëse duam që të mos marrin peshë këto teori, Ministria e Shëndetësisë është e detyruar të siguron qëndrime të unifikuara, njohuri që kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve dhe jo sikur praktika e deritanishme ku kemi rast për një gjë të njëjtë të kemi qëndrime diametralisht të kundërta nga ana e dy ose më shumë personave profesionist që vlejnë për atë lëmi. Për shembull, kemi pasur dy qëndrime të kundërta rreth mbajtjes së maskave në hapësira publike”, ka deklaruar për KOHA, Skender Iseni, sociolog. Ai më tej thotë se një pjesë e njerëzve nuk besojnë në asgjë që del nga goja e autoriteteve, përkatësisht nga ato që i udhëheqin institucionet e vendit. Para disa ditëve presidenti i vendit Stevo Pendarovski takoi klerikët pesë bashkësive fetare në vend. Presidenti Pendarovski, siç kumtoi kabineti i tij, në takimi përmendi rëndësinë e rolit të krerëve të bashkësive fetare, si në kultivimin e bashkëjetesës, që është parakusht i rëndësishëm për prosperitet dhe për përparimin e shtetit, ashtu edhe për rëndësinë e veprimeve të tyre gjatë kohës së pandemisë me Covid-19.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë dje tha se sërish kemi trend të zvogëlimit të numrit të rasteve të reja me Kovid-19. “Numri i rasteve të sapodiagnostikuara është rreth 1000, që konfirmon se kurba epidemiologjike është në ulje të vazhdueshme dhe ky është informacion i mirë. Kjo do të thotë se masat në kuadër të parashikimeve po i japin rezultatet e veta”, deklaroi Filipçe, ndërsa shtoi se presioni në spitale akoma është i madh dhe duke e pasur parasysh atë që akoma ka numër të madh të të diagnostifikuarve. “Në të gjitha institucionet publike shëndetësore në pajtim me oraret dhe risistemimin e pacientëve ka shtretër të lirë spitalorë edhe në Shkup edhe në Klinikat Interne edhe në qendrën për kovid në Entin për rehabilitim në Kozle, si edhe në qytetet e tjera. Do të bëhet risistemim i pacientëve prej qyteteve të tjera nëse është nevoja. Në këtë moment të stërngarkuara janë spitalet në Kumanovë dhe në Manastir edhe atë në nivel ditor jemi duke e menaxhuar”, tha Filipçe. Ai potencoi se vaksinimi po zhvillohet mirë dhe bashkë me ditën e djeshme afro 30.000 qytetarë janë vaksinuar.

KREU I BFI-së FTON NË PËRGJEGJËSI

Si vitin e kaluar, ashtu edhe këtë vit, gjatë muajit të Ramazanit nuk do të falen teravitë. Kjo për shkak se vendi ndodhet në orë policore për shkak të pandemisë me Covid19. Xhamitë do të jenë të hapura deri para orës policore, ndërsa besimtarët do të duhet të respektojnë masat për mbajtjen e maskës dhe distancën. Me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu ka uruar besimtarët mysliman dhe ka thënë se muaji Ramazan ofron një ambient të shenjtë, i cili duhet të shfrytëzohet në relacion të paluhatshëm me Krijuesin tonë, në paqe me të gjithë, me bujari dhe solidaritet me të varfrit, me afrim ndaj njëri-tjetrit. Fetahu ka apeluar tek besimtarët që edhe gjatë këtij muaji të respektojnë masat kundër Covid-19.

FUSHATË QEVERITARE PËR NGRITJEN E VETËDIJES PËR VAKSINIM

Qeveria planifikon përmes fushatave ta ngritë vetëdijen e qytetarëve për nevojën për imunizim, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili informoi se deri më tani në ueb-faqen për vaksinim janë paraqitur rreth 140.000 persona. Ministri pret pasqyra për shtetin tonë se ka numër të vogël të të vaksinuarve dhe pak të interesuar për vaksinim, të fillojë të ndryshojë me ardhjen e dërgesave të reja të vaksinave. “Planifikojmë të fillojmë me fushata. Disa prej tyre janë gati, të tjerat po përgatiten . Sërish e shfrytëzoj këtë mundësi t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të paraqiten në ueb-faqen ’vaksinacija.mk’. Për disa ditë do të ketë sendërtim të sistemit, lidhur me marrjen e njoftimit përmes porosisë SMS pasi që qytetarët do të paraqiten dhe në mënyrë të njëjtë do të informohen edhe për terminin për vaksinim”, kumtoi Filipçe. Ai thotë se vetëdija tek qytetarët për nevojën e vaksinimit është e pranishme dhe plotësisht do të rritet. “Besoj se siç do të arrijnë informatat për vaksinat të cilat vijnë tek ne, ashtu gjithnjë e më shumë qytetarë do të vaksinohen”, nënvizoi Filipçe. (koha.mk)