Mosbesimi bëhet kryefjala e gjithçkaje, sepse të gjithë ne përballemi pamëshirshëm me papërgjegjësinë. Ose me lehtësinë e pamëshirshme me të cilën merren detyrat dhe obligimet dhe si rrjedhojë kjo nuk sjell atë përgjegjësi të duhur. Jemi bërë pjesë e normës se në shtet futesh që mos punosh. Se punësohesh që mos shkosh në punë e të marrësh rrogë. Se merr post që të pasurohesh. Se administrata nuk punon. Se Shtet nuk ka. Atëherë, a duhet të habitemi me sjelljet që shohim?
Nga Nazim RASHIDI
Që çështja e vaksinimit dhe gjithë përpjekjet për të ndaluar keqinformimet do jenë në vëmendje s’ka ndonjë dilemë, por kur përfshihen një repere dhe testikuj të ënjtur, atëherë situata tregon sa tragjike është e gjithë pamja me këto zhvillime. Temë kryesore në mediat britanike dhe me gjerë janë “testikujt e ënjtur” për të cilat ka folur Nicky Minaj, një repere amerikane. Ajo në një tweet ka shkruar se një kushëri i saj në Trinidad nuk do vaksinohet sepse një shok i tij pasi ishte vaksinuar ishte bëre impotent. Testikujt e tij ishin ënjtur. Ai do të duhej të martohej pas disa javësh, por vajza kishte anuluar dasmën, thoshte ndër të tjera tweet-i i Minaj.
Do thoni ju njoftime të pavërteta dhe informacione budallaqe ka pasur sa të duash, po pse një tweet i një repereje tërhoqi kaq shumë vëmendje?
Ajo ka 22 milion ndjekës dhe autoritetet në Britaninë e Madhe, duke përfshirë edhe kryeministrin e vendit, kanë tentuar të shpjegojnë se qëndrimi i reperes ka qenë i pavërtetë. Diskutimi për testikujt e ënjtur në konferencë për shtyp shpërtheu çështjen e cila u përfshi edhe në raportimet e mediave më të mëdha globale. Qëllimi ishte se është PËRGJEGJËSI që të sqarohej se konstatime të tilla rreth vaksinës s’janë të vërteta. Ekspertët sqaruan se ënjtjet e testikujve shkaktohen nga sëmundje seksualisht të transmetueshme dhe se qëndrimet e tilla janë “qesharake” madje dhe “budallallëqe”. Por përtej anës komike të çështjes, nëse dikush e mori si të tillë, serioziteti me të cilin u trajtua një konstatim i pavërtetë, tregon se sa serioze është situata me mosbesuesit ndaj vaksinës dhe si nuk mund të lejohet që mosbesimi të dominojë narracionin në sferën publike dhe në media, sepse një gjë e tillë do ishte e dëmshme.
Ky element më bëri përshtypje në qasjen e mediave britanike dhe përtej se me përgjegjësinë nuk ka shaka, edhe kur bëhet fjalë për testikuj të ënjtur, apo çështje që në rrethana të tjera as që do diskutoheshin, por kur merret parasysh serioziteti i situatave, nuk mund t’i lihet asnjë gjë rastësisë. Mbase në rrethana dhe situata të tjera e tëra do ishte një shaka e keqe, me të cilën as që do qeshej por do përçmohej, në këtë rast çdo dileme i është përgjigjur me seriozitetin më të madh. Nga shpjegime e deklarata shkencëtarësh e deri tek ato politike, pra duke përfshirë edhe kryeministrin Boris Johnson.
Sigurisht që na bëjnë përshtypje reagimet e tilla, sepse ne këtu si shoqëri përballemi me mungesën e përgjegjësisë. Papërgjegjësi nga të gjitha anët. Zhvillimet e fundit që për fat të keq kanë të bëjnë me një tragjedi të nivelit kombëtar, mbase dhe s’mund të krahasohen me një zhvillim banal si ai që po e përmend. Por sado i tmerrshëm krahasimi është i pa shmangshëm sepse atë duhet të bëjë, të shokojë.
Shikoni zhvillimet tek ne. Pas një zjarri me viktima, në spital. Do me thënë veç kjo fjali është e tmerrshme. Dhe shikoni reagimet tek ne. Kryeministër i cili ende ka dilema për përgjegjësinë. Ministra që kishin mëdyshje për veprimet që ndërmorën. Drejtorë që ende s’kanë dorëzuar dorëheqjet zyrtarisht. Kompani që fshihen. Zyrtarë që heshtin. Administratorë që s’kanë bërë kontrollet. Punonjës që s’raportojnë. Punëtorë që s’punojnë. Familjarë që vuajnë. Qytetarë që s’besojnë.
Dhe kështu mosbesimi bëhet kryefjala e gjithçkaje, sepse të gjithë ne përballemi pamëshirshëm me papërgjegjësinë. Ose me lehtësinë e pamëshirshme me të cilën merren detyrat dhe obligimet dhe si rrjedhojë kjo nuk sjell atë përgjegjësi të duhur.
Jemi bërë pjesë e normës se në shtet futesh që mos punosh. Se punësohesh që mos shkosh në punë e të marrish rrogë. Se merr post që të pasurohesh. Se administrata nuk punon. Se Shtet nuk ka. Atëherë, a duhet të habitemi me sjelljet që shohim? Prej kohësh mendoj, por sidomos javën e fundit, se çfarë duhet të ndodhë tek secili prej nesh një herë, e deri tek zyrtarët pastaj, që përgjegjësia të merret me seriozitetin më të lartë të duhur. A do duhet të vihen gjoba të tmerrshme? A do duhet të rriten dënimet? A do duhet të ngjallet frikë? Çfarë?
Pas një tragjedie të përmasave të tilla, a nuk do duhej të kishte ndodhur një trandje e shkundje e vlerave tona shoqërore e si rrjedhojë të kishte impakt në sjelljet tona. Frika ime është se ashtu si merret me lehtësi përgjegjësia, po aq me lehtësi do merret edhe tragjedia dhe do harrohet lehtë. Kjo gjë do ndihmojë të papërgjegjshmit, por edhe ata që mbase pa dashur u kapën në situatën e vështirë që heshturazi të përvidhen sërish në postet e tyre duke mos dhënë shpresë se gjërat do të marrin përgjigjet e duhura. Kjo frikë e imja, për shkak se kryefjalë është papërgjegjësia, bën që një ngjarje triviale si ajo e testiteve të ënjtura të bëjë përshtypje se si trajtohet përballë trajtesës nga institucionet që nga maja e deri tek fundi ndaj tragjedisë me 14 viktima.
Sa i padrejtë madje edhe ofendues krahasimi që bëj, por sa i vërtetë realiteti! Si duket jetojmë në një vend ku ende s’ka këllqe për ndryshime rrënjësore që në mendësi e deri tek veprimet.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)