Qytetarët e thjeshtë e dinë se nëse një i moshuar vjen në urban ose tren, duhet t’i lirosh menjëherë vendin.
Por, sipas ekspertëve të shëndetit, nuk duhet t’ua lirojmë ndenjësen të moshuarve në transportin publik, por duhet t’i inkurajojmë të qëndrojnë në këmbë. Duket si një këshillë e çuditshme, por që ka një arsye shumë madhore.
Siç raporton e përditshmja Independent, ekspertët sugjerojnë se duke ua liruar vendin të moshuarve në transportin publik, ne vetëm sa po u bëjmë atyre keq në shëndet. Në fakt ata duhet të inkurajohen që të qëndrojnë herë pas here edhe në këmbë, dhe jo gjithmonë ulur. Përveç kësaj, ata duhet të ecin të paktën 10 minuta në ditë në këmbë. Kështu ata do të jenë më aktivë dhe njëkohësisht më të shëndetshëm.
“Duhet t’i inkurajojmë njerëzit të jenë më aktivë ndërsa kalojnë vitet – dhe jo t’u themi që të ulen”, këshillon Sir Muir Gray, profesor tek Universiteti i Oksfordit.
“Mendohu dy herë pasi t’i lirosh vendin një të moshuari në ruban ose autobus. Qëndrimi në këmbë është një aktivitet i mirë fizik për ta”.
Një raport i ri këshillon të moshuarit të qëndrojnë aktivë, pasi kështu mund të jetojnë në mënyrë të pavarur dhe nuk kanë nevojë për kujdesin e të tjerëve, deri në një farë moshe. Në raport thuhet se efektet e plakjes ngatërrohen shpesh me të qenët pasivë, kur në fakt kjo e fundit (mungesa e aktivitetit fizik) është ajo që i plak dhe bën që të kenë nevojë për më shumë kujdes nga të tjerët.
“Shumë nga sëmundjet me kalimin e kohës nuk lidhen me moshën e vjetër, por me të qenët pasivë”, thonë ekspertët.