Pavarësisht paralajmërimeve dhe thirrje për ngritjen e vetëdijes qytetare gjatë pjesëmarrjes në komunikacionin, një pjesë e konsiderueshme e shoferëve dhe këmbësorëve pasi të bëhen pjesë e aksidenteve në rrugë, para organeve të rendit mbrohen me arsyetime banale. Për këtë qëllim KRKS, apelon që arsyetime banale të lihen anash dhe vozitësit ti qasen me seriozitet prezencës në rrugët e vendit dhe më gjerë
Omer XHAFERI
Shkup, 5 nëntor – “Mos u arsyeto”, është fushata e radhës të cilën është duke e zhvilluar Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacion (KRSK). Arsyetimet më të zakonshme të shoferëve që marrin pjesë në aksidentet e komunikacionit, sipas analizave dhe hulumtimeve të KRSK-së, janë shpejtësia për të arritur në punë, për në takime apo ato të llojit se kanë shpejtuar për të zënë ngjyrën e gjelbër në semaforin e radhës, shkruan gazeta KOHA.
Në rrugëtimin e tyre për të ngritur vetëdijen dhe përmirësuar kulturën në komunikacionin rrugor, drejtuesit e KRSK-së kanë konstatuar se asnjë arsyetim nuk është i qëndrueshëm, në kohë kur e rrezikon ta humbasësh jetën tënde apo të ndonjë pjesëmarrësi tjetër në rrugë.
Në numërimin e arsyetimeve shtesë që më shpesh i japin shkaktarët e aksidenteve në komunikacion, siç njoftojnë drejtuesit e Këshillit në fjalë, lidhen me bisedat e tyre në telefon, shpejtësinë e madhe, vozitjen nën ndikimin e alkoolit apo arsyetime të ngjashme të cilët aspak nuk i japin “legjitimojnë” aksidentet.
“Disa prej shoferëve dinë të thonë ‘vendim i imi është që mos të shfrytëzoj rripin e sigurisë në veturë apo ‘vendim im është të mos ndalem në vendkalimet për këmbësor’. Këto janë pjesë e arsyetimeve banale, respektivisht kështu lind dilema dhe parashtrohet pyetja se vallë është vendim yt që të marrish pjesë në aksident komunikacioni i cili mund të kalojë me pasoja tragjike apo lëndime të rënda trupore. Vlerësojmë se pjesëmarrja e siguritë dhe e përgjegjshme në komunikacion, nuk janë e drejtë e zgjedhjes, por obligim që nuk pranon arsyetime dhe keqardhje. Fushata ‘Mos u arsyeto’ ngjashëm si fushatat e deritanishme synon ta ngritë vetëdijen për pasojat e mundshme nga aksidentet në komunikacion te çdo individ. Nëpërmjet edukimit për rëndësinë dhe nevojën maksimale të rritjes së përgjegjësisë në kohën kur gjendemi në komunikacion, besojmë se do të rritet niveli i disiplinës kur bëhet fjalë për respektimit e rregullat dhe obligimeve”, thonë nga KRSK.
Angazhimet e vazhdueshme të institucioneve shtetërore për zvogëlimin e aksidenteve tragjike në komunikacion, ndonëse nuk japin rezultate të mëdha, megjithatë statistika e deritanishme të KRSK, thonë se për nëntë muajt e parë të vitit 2018 numri i këtyre aksidenteve është zvogëluar për dhjetë për qind. Fatkeqësisht, sipas tyre arsyetimet e pa baza janë bërë shprehi e keqe e shoferëve që marrin pjesën në aksidente e përditshme në komunikacion. Ndryshe, krahas shoferëve të pandërgjegjshëm fajtor kryesor për shkaktimin e aksidenteve në rrugë janë edhe këmbësor. Me mos respektimin e vendeve të shënuar për këmbësor, kjo kategori e qytetarëve gjatë viteve të fundit ka pësuar lëndime të rënda trupore, me çka vetëm gjatë vitit 2017 në pjesë të ndryshme të Maqedonisë, jetën e kanë humbur 34 këmbësor. Këto statistika që mund të gjenden në raportet e Ministrisë për Punë të Brendshme, flasin se numri i këmbësorëve të lënduar për vitin e kaluar ka arritur deri në 1 mijë qytetar. (koha.mk)