Vedat MEMEDALIU
Bojan Iliq, i riu nga Kumanova që më 25 qershor të vitit të kaluar, me veturë përplasi për vdekje 4-vjeçarin, Almir Aliu, bashkë me prindërit afër Spitalit të Kumanovës – mund të kalojë me dënim minimal. Kështu po tenton të vendos Trupi gjykues dhe Prokuroria e Kumanovës, të cilët përveç zvarritjes pa fund të procesit gjyqësor, ditëve të fundit kanë nis të nxjerrin dhe “brirët” dhe të “vrasin” për së dyti vogëlushin e pafajshëm, trupi i njomë i të cilit po kalbet në varrezat e qytetit të Kumanovës.
Propozimi për rikualifikim të lëndës nga “vrasje me paramendim” në “aksident rrugor me pasojë vdekjen” ka revoltuar secilin shqiptarë, të cilët tashmë po thellojnë mosbesimin ndaj gjyqësorit dhe drejtësisë maqedonase. Për të mos mjaftuar kjo, edhe babai i Almirit, Sedati – vazhdon të gjykohet për dhunë dhe shkaktim të lëndimeve ndaj vrasësit Iliq, edhe pse vëllai i këtij të fundit, nuk përmendet tanimë në seancat gjyqësore si bashkëpunëtor në vrasje. Janë dy prokurorët e Kumanovës, Suzana Kusigerska dhe Goran Peshevski ata që po kërkojnë me ngulm që Bojan Iliqi (me dosje voluminoze në policinë e qytetit) të dënohet për vepër penale “aksident rrugor me pasojë vdekjen”. Vendim përfundimtar akoma nuk ka dhe me gjasë, gjykim në afatin e paraparë – më 29 nëntor, nuk do ketë. Por, para se Iliqi të dënohet maksimalisht me vetëm 4 vjet burg, familjarët e Almirit duhet ndihmuar. Ndihmë duhet të jap edhe ministri shqiptar i Drejtësisë, edhe ushtruesi i detyrës Prokurori i Përgjithshëm, Xhelal Bajrami. Ndihmë dhe presion duhet të bëjnë dhe partitë politike shqiptare, mediat, organizatat joqeveritare, qytetarët…
Mjafton të përkujtojmë vetëm rastin e 20-vjeçarit nga fshati Gërçec i Sarajit, Naser Eshtrefi, i cili nga gjykata famëkeqe e Shkupit, dy vjet më parë mori dënimin maksimal – 14 vjet burg. Naseri ishte akuzuar se “me paramendim”, tre vjet më parë, kishte vrarë maturantin Angel Petrovski. Edhe pse asnjëherë Prokuroria dhe Gjykata nuk arriti të sigurojë motivin e vrasjes, për të cilën Naseri dhe pala mbrojtëse thoshte se ka qenë “vetëmbrojtje” nga goditjet e babait të Angelit, Trupi gjykues e çoi në qeli për 14 vjet të riun e Gërçecit. Arma, që herë thuhej se ishte një thikë e herë mjet i mprehtë prej metali, nuk u gjet asnjëherë. Nuk u gjet, sepse ajo ishte e babait të Angelit dhe nuk u kërkua si dëshmi në asnjë nga seancat gjyqësore. Për të mos mjaftuar kjo, huliganët maqedonas të “Gjorçe Petrovit” dogjën dhe shkatërruan gjithçka që ishte shqiptare në këtë lagje të Shkupit – flaka iu vu dyqaneve, u rrahën, madje, edhe gratë… Dhe deri sot, asnjë dënim dhe asnjë akuzë ndaj tyre.