Nga Nazmi BEQIRI
Sëmundjet në të shumtën e rasteve vijnë nga papastërtia, keq ushqimi, lëndimet, trashëgimia etj. Sëmundja ta ndal punën, ta zvogëlon fuqinë në shumë ndarje, të len invalid, por ta merr edhe jetën. Më shumë përballojnë ata që kanë imunitet. Në veprimtari politike, imunitet kanë vetëm organizatat që në bërthamën e tyre ideore kanë lëvizjen popullore. Kjo vjen nga fakti se në këto organizata nuk krijohet kult të udhëheqësit apo kryetarit, nuk mbështeten në përfitime personale dhe, nga shumë elementet përbërëse të strukturës organizative kanë edhe fuqinë. Por, kjo nuk do të thotë se në to nuk ka spiunë, interesxhinj, shitës, keqpërdorues, të cilët nuk mund të dominojnë organizatën, por duken më të ekspozuar, më të paraqitur si faktor brenda organizatës, ngase fillimisht përkrahen nga mediat dhe elementet e propagandës (për ato) pa pagesë (paguhen nga shërbime të ndryshme), e më pastaj ky element i paguan vet këto propagandues. Ky element prej njerëzish, janë të butë dhe në të shumtën e rasteve janë frikacakë, por pasi që të arrijnë mirëqenie e privilegje të larta, në mbrojtjen e tyre ata marrin edhe guximin e kundërshtimit deri në sulme fizike, para dhe pas të cilit rast s’ndalen së foluri për atdhetari e popull, i cili nuk e kupton dhe nuk u është mirënjohës!
Nuk lënë element pa përdorur për ta ruajtur postin e nivelin që kanë, duke përdorur paratë, lëvdatat, vajtimin, përkuljen, robërimin përpara çdo kujt, deri sa janë të gatshëm të mos tërhiqen edhe kur fitojnë ndonjë grusht apo shuplakë nga dikush. Kanë aftësi të madhe të afrimit dhe lidhjes me njerëzit si vetja, me të cilin rast mund të dëmtojnë rënd organizatën ku veprojnë. Në organizata ilegale këto njerëz i largojnë aksionet, kurse në parti politike këto element largohen me votën e popullit, pas të cilit rast kjo tajfë, nëse kanë qenë informator -kalojnë në punëtorë shërbimesh të ndryshme. Mos më thoni se pse lejohet futja e kësaj lëmie brenda një organizate. Ka shumë faktorë: bartësit e ideve nuk janë rëntgen, besojnë shumë e sidomos në reflektimin nga më e mira, nuk bëhen përcjellës deri në birat e çelësave, dhe tek e fundit shapi nuk mund të ndahet nga sheqeri para se të piqet… Në këtë rast për në regjionin tonë kauza shqiptare nuk ka përfunduar, madje as e Marrëveshjes së Ohrit, e cila kauzë qëndron mbi partitë politike. Mbase ka qenë rregull e kamotshme, ku, me rastin e ngritjes së një kalaje, pos gurëve nevojitet çdo material, madje një thënie dibrane thotë se “nuk duhet hedhur as bajgat, vetëm se duhet ditë ku me i vendosë”. Nga këso lloj njerëzish nuk ka shpëtuar as partia e dalë nga lufta dhe e keqpërdorën atë skajshmërish: në administratë, në drejtori e ministri, drejtorë shkollash e profesorë.
Familje dëshmorësh me gjithë invalid të luftës nuk e kalojnë numrin 300. Kurse luftëtarë aktiv, nuk e kalonin shifrën 6000. E po të punësuar që nga 2002 e deri më tani ka rreth 20.000 (plus-minus për pak). Atëherë, si po paraqitet problem punësimi i anëtarëve dhe fëmijëve të dëshmorëve. Ata, po paraqesin probleme në punësim, ata, po paraqesin problem në regjistrim në fakultete, ata, po paraqesin problem në notim e kërkim -falje të notave, dhe kurrfarë problemi nuk paraqesin fëmijët e drejtorëve, ministrave, spiujve, të biznesmenëve. Madje për këto fëmijë të shenjtë (për mua), po bëhen objekt tallje dhe ankimi në gojë të shumë udhëheqësve duke i quajtur të “padurueshëm”, “i falet një notë e jo të gjitha”, si s’po u del një rrogë (mujore në administratë), dhe këto fjalë gëlltiten edhe nga të tjerët dhe flitet edhe nga vet bashkëstudentët, apo kolegët e tyre në punë. Kurrkush nuk bisedon për një djalë rektori, drejtori, e ministri. Kurrkush nuk flet se si djemtë e tyre shkojnë edhe jashtë vendit për të pi një pije, për të dëgjuar një këngëtare beogradase, sesi dalin edhe më larg për ta luajtur një dorë bixhozi. Askush nuk përfol se si në fakultetet tona regjistrohen “branitelat”, se si priten ato me temena, sesi ata i marrin notat edhe në gjuhë shqipe (e ligjëroj vet). As kujt nuk i pengon punësimi i një anëtari të një familjeje që edhe qentë i kanë të punësuara. Pengojnë në punësim fëmijët e dëshmorëve dhe ushtarët që kanë kryer edhe shkolla adekuate, dhe edhe nëse janë punësuar nuk avancohen, kurse nuk pengohen në asnjë rast fëmijët e matrapazëve, profiterëve e hajdutëve ordiner, por edhe të biznesmenëve e postmbajtësve të ndryshëm në organet e shtetit. Për ilustrim po e marr atë që ma thanë vetë mua: “-Me gurë të gjuajti ushtari që po e përmend”. Rastësisht më doli pyetja, se a është ai i punësuar? –Jo, më thanë. -E pse, i pyeta? Përgjigje nuk morra.
Pakë rrëfim: Në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare ka pasur vetëm një ushtar që në mungesë të predhave të mortajës, tankut ia ka ngritur gishtin e mesëm të dorës, pas secilës predhë që e ka goditur në barrikadë deri sa nga goditjet ka humbur vetëdijen. Për atë nuk paska pasur vend pune (nuk është verifikuar se ka hedhë gurë mbi mbajtësit e tubimit të BDI-së). I vetmi ushtarë prej qytetit të Kumanovës që përjeton luftën nga Malina nuk ishte i punësuar. Me sa kam dëgjuar edhe i vetmi ushtarë nga Gostivari që ka marrë pjesë në ushtri që nga betejat e Malinës e deri në fund nuk ishte i punësuar (Zediu). Me kontratë në vepër dhe me kërcënim për përjashtim nga puna qëndron i vetmi i punësuar i familjes e cila në kohë ka përcjellë të gjithë djemtë në luftë (Në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe te ne). E njëjta gjë ndodhë edhe në ndarjen e bursave, e njëjta gjë ndodhë gjithkund… Kjo përflitje e mostrajtim social i njerëzve që kanë lidhje me luftën e 2001-shit, mbase ndodhë për disa arsye: sepse postëmbajtësit (me përjashtim) janë kundër këtyre njerëzve, këta njerëz nuk japin mito (ngase mbase s’kanë), këto njerëz nuk kthehen në mbajtës zhagu, ngase këto njerëz donë familjen e tyre, donë komandantin e prindërve të vet, e mbi të gjitha donë lirinë e vet dhe të gjithë popullit që i përkasin. Edhe pranë gjithë kësaj, ata (fëmijët e dëshmorëve)….janë më të qetët, më modestët, më të sjellshmit, më flijuesit, më punëtorët…
Pos kësaj të përmendure, shumë postëmbajtës (nga niveli më i ulët e deri te më larti), në vend të zhvillimit të organizimit partiak, bënin organizim paralel ose lidhje shoqërore të tipit mafioz, e cila punë e tyre shtrihej deri në nëndegë të partisë. Edhe më e keqja është se: kur atyre u kundërshtonte dikush në këtë veprim, ata këtë e arsyetonin me postin që e mbanin dhe me vet liderin e partisë së tyre. Kur kishte reagime për mos punësimin e një familjari të përmendur, ata fajin ia linin liderit dhe ligjeve që kishin sjellë vet ata. Në këtë mënyrë këto postëmbajtës, keq informonin liderin dhe organet, shpifnin, montonin lloj -lloj marifetesh drejt asaj që çonte në zbardhjen e keqpërdorimeve të tyre. Me zbardhjen e paktë të keqpërdorimit të këtyre postëmbajtësve që u dëshmua me humbjen e votave në këto zgjedhje parlamentare, ata lidhën kumari me politikanë e postëmbajtës shqiptarë e joshqiptarë, dhe çirren për të bërë qeverinë sa më shpejtë, me njërën apo palën tjetër të maqedonasve, duke menduar se do të mbeten në pushtet për të shpëtuar nga mynxyrat e tjera që kanë mundur t’i bëjnë. Përndryshe, si mund të sqarohet presioni mbi liderin dhe të gjithë ata që nuk mendojnë si ata, se po nuk u bë ky koalicion me atë, e të tjerët me këtë, ata do të kenë turp më të qëndrojnë anëtarë dhe përfaqësues të BDI -së. Në rast se vazhdon kjo trysni e tyre mbi liderin e partisë e mbështetur në tabore partish pa e vënë mbi ta çështjen kombëtare shqiptare, (duke e njohur vet Aliun), them se ai do të kalojë në opozitë. Por, edhe sikur të bëhet kjo, liderin do ta pasojnë të devotshmit e partisë, familjarët e shokëve të tij dhe familjeve që luftuan e punuan edhe painteres personal dhe do të kthehet fuqia e mëparshme e këtij organizimi. Veç për një nuk jam i sigurt dhe kam frikë se këto të keqtrajtuar do të kthehen në Shpatë Demokleu mbi kokat e keqpërdoruesve të vullnetit të popullit, keqpërdoruesve të besimit të partisë, keqpërdoruesve të vlerave shqiptare e njerëzore. Në të ardhmen kjo nuk do të ndodh. Nuk do të ndodh ngase do të zhduket toleranca brenda organizatës dhe edhe vet brezit që po vjen. Nuk do të ndodhë ngase, më “nuk do të shikohet guna por puna” dhe mbi të gjitha me kohë do të publikohet çdo rast. Kjo sintagmë edhe është porosi fetare e njerëzore. (koha.mk)