Shkencëtarët kanë zbuluar se larja e materialeve sintetike në ciklin delikat të lavatriçes po ndot oqeanet. Ky cikël bën që qindra mijëra mikrofibra plastike të lëshohen në sistemet tona ujore. Kafshët e vogla mund të ushqehen me to, duke përfunduar në këtë mënyrë në zinxhirin ushqimor.
Ekspertët e Universitetit të Newcastle zbuluan se ajo që e shkakton këtë është volumi i ujit të përdorur dhe jo veprimi i centrifugës, i cili është faktori kryesor në thithjen e grimcave nga materialet. Ciklet e rregullta të larjes bëjnë që rrobat të fërkohen më shumë, por përdorin më pak ujë se ciklet delikate.
Miliona mikrofibra plastike derdhen sa herë që ne lajmë rrobat që janë të përbëra nga nejloni, poliestri dhe akriliku. Studimet kanë treguar se këto mikrofibra gjenden në pjesët më të thella të oqeanit tonë.