Numri “9”, në çdo kuptim. Mauro Icardi ndoshta nuk është prototipi i sulmuesit modern, që luan kudo, i aftë të vihet në shërbim të skuadrës, siç “pretendohet” në kohët e sotme, por një gjë di ta bëjë shumë mirë, si pak të tjerë në botë: ta dërgojë sferën në rrjetë me një vazhdimësi mbresëlënëse. Një qendërsulmues i kohëve të vjetra në kampionatin italian, ose më saktë kompeticioni më i vështirë për sulmuesit e çdo kontinenti, “universiteti i futbollit”, ka thënë Tevez. “Nëse shënon në Serie A, mund të shënosh kudo”, ka shtuar “Apache”.
Shifrat e Icardi-t janë të frikshme: 14 gola në sezon, 12 nga të cilët në kampionat; 5 dygolësha (me Pescara, Empoli, Torino, Crotone dhe Fiorentina) dhe gola kundër Palermo, Juve, Southampton dhe Hapoel: vetëm në Europa League realizimet e Mauritos nuk i kanë dhënë pikë klubit zikaltër. Në përgjithësi flasim për një djalosh prej 69 golash në Serie A, 59 me fanellën e Inter, 10 me atë të Sampdoria. Këtyre i duhen shtuar gjashtë gola në Europa League (të gjithë me Inter), një në Kupën e Italisë (Inter) dhe një në Serie B (2011-12, viti i parë te Samp), për një total prej 77 golash zyrtarë. Aspak keq për një futbollist të datëlindjes 1993, i cili është vlerësuar 60 milionë euro verën e kaluar: shifër e ofruar nga Napoli për të harruar menjëherë “tradhtinë” e Higuain. Ndërkohë, Icardi ka rinovuar me Suning deri në 2021-in (5 milionë euro në sezon) me një klauzolë prej 110 milionë eurosh, e vlefshme vetëm për klubet jo italiane.
Në 2015-ën Icardi ka qenë golashënuesi më i mirë i Serie A me 22 gola (ashtu si Toni) dhe me këtë ritëm mund ta fitojë përsëri atë titull në majin e ardhshëm, në moshën 24 vjeç e 3 muaj. Do të ishte lojtari i tretë më i ri që do ta fitonte titullin e golashënuesit më të mirë për herë të dytë mbas Felice Borel (që ia ka dalë kur ishte 20 vjeç: numri një i bomberave në 1932-33 dhe në 1933-34) dhe Harald Nielsen (fitues në 1962-63 dhe 1963-64, kur ishte 22 vjeç), ndërsa do të kalonte për disa muaj Puricelli (Bologna), që e ka fituar për herë të dytë në moshën 24 vjeç e 8 muaj. Konkurrenca në këtë sezon është shumë e fortë: Dzeko, edhe ai në kuotën e 12 realizimeve (në 2014-15, në këto kohë, Icardi ishte në kuotën e 8 golave), Belotti (10) dhe Immobile (9), pa harruar se Higuain nuk ka shpërthyer akoma.
“Unë mendoj për skuadrën, – thotë shpesh Maurito, – nuk më interesojnë sukseset personale”. Në mendje ka një objektiv të vetëm: të luajë Champions League. “Një skuadër si Inter nuk mund të qëndrojë jashtë një kompeticioni të tillë”, ka thënë në ditët e kaluara 23 vjeçari nga Rozario. Fitorja me Fiorentina-n, i ka dhënë shtysën e duhur ambientit zikaltër, që ka nevojë të gjejë sa më shpejt të jetë e mundur vazhdimësinë në rezultate, siguri taktike dhe pak qetësi në aspektin psikologjik. Në kampionat kanë ardhur tre rezultate të njëpasnjëshme pozitive (3-0 ndaj Crotone, 2-2 në derbi, 4-2 ndaj Fiorentina-s), por, duke parë renditjen, duhet të vijë patjetër një fitore kundër Napoli-t. Pioli dhe vetë Icardi nuk kanë dyshime: “Nëse ruajmë përqendrimin për 90 minuta mund të fitojmë ndaj kujtdo”. Edhe Perisic ka garantuar se “të premten, në ‘San Paolo’, duam të bëjmë një ndeshje të madhe të fitojmë”.
Mos e quani më Icardi, por “Mister Dygolëshi” (VIDEO)
Leave a comment