Fillojeni me të mbarë këtë vit shkollor, fillojeni me ndërgjegje vitin e nxënësit, bëni kujdesin në punën tuaj altruiste, iluministe, humane dhe emancipuese, gjallërojeni mësimin shqip, shqip dhe vetëm shqip…, ndërtojeni dhe zhvillojeni gjeografinë e arsimit fillor shqip, ndërtojeni merakun për punën tuaj fisnike, mos kini frikë…
Nga Fadil LUSHI
Specialistët e medieve të shkruaramundtë thonë sot me plot të drejtë se të ngarkosh a të mbushësh një vështrim a opinion me referime a citate të tepërta, të panevojshme ose që nuk janë të domosdoshme padyshim se për artikullshkruesin nuk është e lejueshme dhe korrekte,nga njëra anë, dhe e gjithë kjo nuk e nderon lexuesin,nga ana tjetër. Unë edhe përtej rregullave dhe normave të vendosura për kësisoj çështjesh,do t’u referohem dy thënieve, një të dijetarit Pjetër Mëshkalla, i cili dikur kishte thënë: “Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegjja, e vërteta dhe e mira”…, si dhe një mendimi të Azem Shkrelit, për të cilin kritikët letrarë shqiptarë thonë se ishte një poet që u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare. Ai dikur, pos të tjerash, kishte thënë: “Të vërtetën përgjysmë mos e bëj a mos e ndaj, sepse njëra gjysmë komploton kundër saj”. Dhe unë nuk do e përgjysmoj të vërtetën e kësaj “shkarravine”, jo se këtë e kishte thënë Azemi, por pse kjo e vërtetë e shkrimit tim është pjesë e së vërtetës sonë kolektive, pjesë e ndërgjegjes sonë… dhe,miku im i dashur, po e ndave këtë, atëherë dije se s’të mbetet gjë as në dorë, as në fiqir, as në shpirt e as në xhep. Ose “Zgjidh e merr”, siç do të thotë Fan Noli nga Ibrik Tepeja, në poezinë e tij! Unë do t’i marr “gjymtimet” e kësaj të vërtete…, ndërkaq ju, miqtë e mi të nderuar, merrni ato që do t’ju hyjnë në punë…, për hisen e të tjerëve nuk kam habere.
Si një ish-pedagog,unë shpresoj shumë që ky vit shkollor për nxënësit e fillores dhe të mesmes të jetë i mbarë. Vërtet uroj që të jetë i tillë, pavarësisht se dikush mund edhe të tallet,po edhe ta paragjykojë këtë uratën time prej të moshuari. Unë nuk dëshiroj a nuk dua që ky vit shkollor t’u përngjajë atyre viteve paraprake shkollore, të viteve të shekullit që lamë pas, të viteve të vaktit të njëmendësisë, në kohën kur mësuesit tanë kishin dertin se në ç’mënyrë do të fillonte viti shkollor. Mua hiç nuk ma do “xhani” që ky vit shkollor t’u përngjajë atyre viteve kur mësuesit e fillonin punën e tyre të shenjtë me siklet…, unë nuk dua që ky vit shkollor të fillojë njësoj si… Dikur moti dishepujt besnikë të popullit e dinin fare mirë se do të ishte një vit shkollor i ngatërruar si për prindërit, njashtu edhe për nxënësit. E dinin fare mirë se asokohe do të ndodhte hataja e sajuar, e dinin fare mirë se armiku do t’ia hante dhe do t’ia hiqte kokën shkrim- këndimit dedikuar fëmijëve të shqiptarëve, mësuesit e dinin se armiku do bënte zhurmën shurdhuese të radhës! Prindërit tanë tok me mësuesit e dinin fare mirë se armiku ynë i mençur bashkë me mikun e marrë prej shqiptari, asokohe qëllimisht do të nxirrte belanë që më pastajtë gjithë ata që shquheshin nga fusha e dijes…do t’i fuste në ngatërresa…, do t’i detyronte që kokëçarjen ta blejnë me paratë e tyre! Ne asokohe e dinim fare mirë se një ditë armiqtë do të bëjnë përpjekje që ta rrënojnë kështjellën e arsimit shqip…, e dinim fare mirë se një ditë do të prekin me pa të drejtë mu aty ku nuk guxon të prekësh, aty ku rrojnë vlerat tona kulturore, letrare, artistike, estetike, historike e të tjera vlera shpirtërore. Mësuesit tanë e dinin fare mirë se në një të ardhme të afërt, armiku do ta përgjysmojë shkollën a mësonjëtoren ku flitet dhe frymohet shqip…, e dinin fare mirë parullën shoviniste të tyre: “Sa më pak mësonjëtore, nxënës, studentë dhe mësues të vyeshëm shqiptarë, aq më mirë për armikun dhe mikun tonë me surrat vampiri!”
Disa mësues në moshë sot e kësaj dite e mbajnë mend edhe atë meselenë me mësimdhënësin kolaboracionist, një ndodhi denigruese, çnjerëzore dhe po aq joemancipuese…, nga moti 1967, kur asokohe një nxënës katundar prej fisniku nuk kishte kaluar provimin nga një lëndë mësimore që organizohej pikërisht nga protagonisti i këtij paragrafi të shkrimit për gazetë. Kur kryetari i komisionit për provime i qe drejtuar këtij farë debili për notën kaluese, ai ishte përgjigjur: “Nxënësi NN detyrimisht do ta përsëritë vitin shkollor!” (të ngatërruar-nënvizim yni). Arsyetimi i mësimdhënësit stër-fosil, lëre që ishte banal, por edhe këmbë e krye i pakuptimtë! Nxënësi që nuk kaloi vitin ishte çun i vetëm i një atdhetari që kishte vuajtur dënimin në burgun famëkeq “Petrova Rupa” të Goli Otokut.”Çuditërisht” nxënësi “ngelaq”, pas disa vjetësh, në një universitet prestigjioz të ish-Jugosllavisë fitoi titullin doktor i shkencave të natyrës…, ndërkaq i biri i bashkëpunëtorit të UDB-së… doktoroi në hapësirat e një barake prej dërrasash, diku në një vendkalim kufitar! E, miku im i dashur, ky rrëfim a nuk të duket i çiltër, po edhe me shumë mëkate! Pikërisht ky farë mësimdhënësi që hiqej si shehërli, sa herë kur futej në hapësirat ku mësonin nxënësit…, pjesa dërmuese vinin nga katundet përreth kasabasë sonë…,na thoshte hapni dritaret se klasa mban erë ahuri prej lopësh! Pikërisht ky mësimdhënës karakterizohej me atë distancën e tij ironike dhe të dukshme…, pikërisht këtij mësimdhënësi nxënësit i dukeshin si me qenë kafsharë kooperativash, pikërisht ky ishte mësuesi shqiptar që detyronte nxënësit shqiptarë të durojnë marrëzitë dhe ofendimet e tij…, pikërisht dhe fatkeqësisht ky ishte mësimdhënësi që asnjëherë nuk komunikonte me prindërit e nxënësve prej katundi…, pikërisht ky ishte mësimdhënësi që përqeshte me ligësi nxënësin prej katundi. Dhe pikërisht ky ishte mësimdhënësi i cili pasi përfundoi me misionin me pasoja rrënimtare karshi mësonjëtoreve shqiptare, në një ndejë gjysmëburrash me gojën plot e shau ish-shtetin, shtetini cili i mundësoi që në mënyrë të padrejtë të nxirrte fitime vetjake… duke mos u dhënë hapësirë atyre që vuajtën të zitë e ullirit të thonë një të vetmin llaf…dhe, çuditërisht, në vend që të pastrojë dhëmbët e hundët, ky vazhdon të shajë sabah e aksham. Se kësaj i thonë hipokrizi a diç tjetër, mua nuk ma kap fiqiri.
Mësuese dhe mësues të dashur! Nëse në këtë shkrim i mësuam të gjitha të këqijat e armikut dhe mësimdhënësit të shekullit të kaluar rreth përgjysmimit të mësonjëtoreve shqipe, atëherë fillojeni me të mbarë këtë vit shkollor, fillojeni me ndërgjegje vitin e nxënësit, bëni kujdesin në punën tuaj altruiste, iluministe, humane dhe emancipuese, gjallërojeni mësimin shqip, shqip dhe vetëm shqip…, ndërtojeni dhe zhvillojeni gjeografinë e arsimit fillor shqip, ndërtojeni merakun për punën tuaj fisnike, mos kini frikë sepse shkollën tuaj nuk e nguc njeri, shtet e pushtet e aq më pak ai “mësimdhënësi”, tani me hundën e ulur…, bëjeni punën tuaj se kjo ju takon juve dhe vetëm hises suaj.
Ehe, miku im i dashur. Sa herë kure përfundoj vështrimin e radhës, aq herë më ik fiqiri te një femër me bukuri epike, te një grua, te një gocë prej qehajai, të cilën asnjëherë nuk u ngiva së dashuruari. Ishte një grua që asnjëherë nuk erdhi në dasmën time të madhe, një femër që iku nga jeta ime pikërisht në kohën kur mua më duhej më së shumti, “një grua që më xhelozonte pse pikërisht atë e doja”. Ajo kishte një emër të veçantë, sa human, po aq emancipues, një emër… dhe atë grua mendjefemër e quanin NËNË, mësuesja e jetës sonë! Kur unë e teproja me çapkënllëkun tim, ajo me didaktikën dhe psikologjinë e saj, bënte përpjekje të më qetësojë. Jo rrallë më thoshte: “Biri im, merre veten me të mbarë!”…, unë në këtë shkrim e mora veten së mbrapshti! Juve, punë të mbarë në këtë vit shkollorë! (koha.mk)