Mos e përçmoni letërsinë për fëmijë

31

Botues e shkrimtarë nuk harrojnë që të apelojnë për më shumë respekt për librin dhe krijuesit, për të rritur cilësinë e botimeve, përmbajtjeve letrare larg stereotipave. Por me theks të veçantë tek nxitja e dashurisë së leximit te lexuesit e vegjël dhe sensibilizimin për rëndësinë që ka libri në formimin e fëmijëve

Evis HALILI

Shkup, 3 prill – Dita botërore e letërsisë për fëmijë – 2 Prilli, që kremtohet në mbarë botën në nder të shkrimtarit danez Hans Kristian Andersen, këtë vit është shënuar me aktivitete të kufizuara, kryesisht në platformën online. Botues e shkrimtarë nuk harrojnë që të apelojnë për më shumë respekt për librin dhe krijuesit, për të rritur cilësinë e botimeve, përmbajtjeve letrare larg stereotipave. Por me theks të veçantë tek nxitja e dashurisë së leximit te lexuesit e vegjël dhe sensibilizimin për rëndësinë që ka libri në formimin e fëmijëve. Ajo që cilësohet si letërsia më e madhe në botë dhe për të cilën shkrimtari Nehas Sopaj, thotë se gjithnjë e më shumë po lihet në periferinë e vëmendjes së kritikës dhe po kthehet në një lloj biznesi lektyrash ku shkruajnë kush të mundet.

“Në këtë ditë kaq të rëndësishme për librin do të apeloja që të lexonim, leximi fillon që fëmijë dhe na shoqëron gjithë jetën. Autorët e librave për fëmijë nuk zënë asnjëherë vendin që meritojnë, pasi vetë difuzioni i kësaj letërsie është më i vogël, lexuesit e saj janë kryesisht moshat e vogla, kur në fakt të gjtihë duhet ta lexojnë dhe jo ta përçmojnë. Është për të ardhur keq që letërsia për fëmijë këtu tek ne po kthehet në një lloj biznesi, ku librat lexohen gjithnjë e më pak dhe duhet të jetë e kundërta. Lektyrat nuk mund të zëvendësojnë librin dhe të bëhet biznes me to, ku librat për fëmijë i shkruajnë të gjithë”, thotë Sopasj, një nga shkrimtarët më në zë të letërsisë për fëmijë. Në Ditën Ndërkombëtare të Letërsisë për Fëmijë, po vazhdojmë të jetojmë edhe me pandeminë si kategori biologjike, edhe me pandeminë e politikave të gabuara kulturore në Maqedoni,me theks te veçantë te kulturës shqiptare, qe institucionalisht vazhdon të jetë e nëpërkëmbur dhe e zhvlerësuar nga i gjithë spektri politik shqiptaro – maqedonas.

“Ne si shtëpi botuese, pikërisht shkaku i këtyre fëmijëve, ka vite që kemi filluar të botojmë edhe letërsi për fëmijë, por kryesisht për moshat 12-15 vjeçare. Në Maqedoni, për fat te keq, ka pak botime të letërsisë për fëmijë, që botohen nga botues shqiptare të Maqedonisë. ndoshta për shume arsye. E para, mund te jete që për shembull letërsia për fëmijë parashkollor dhe te klasave te ulta, detyrimisht kryesisht është me ilustrime me ngjyra dhe cilësi pak më të lartë të shtypit, që kushton më shumë se librat bardhë e zi”, thotë Dauti. Shkrimtari Lulzim Haziri, anëtar i Komisionit të Botimeve në Ministrinë e Kulturës pohon se këtë vit janë mbështetur financiarisht shumë tituj për fëmijë.

“Më vjen mirë që kishim një numër të madh autoresh për fëmijë, sidomos një brez i ri shkrimtarësh që u prezantuan me libra atraktivë. Të njëjtën gjë nuk do ta thoja për revistat për fëmijë, fatkeqësisht pjesa më e madhe e tyre lë për të dëshiruar sa i takon konceptit dhe përmbajtjes që nuk korrespondon me kërkesat dhe nevojat e fëmijëve’, thotë Haziri. Zarije Jonuzi Celiku, aktore, një prej autoreve më të reja për fëmijë vëren se lexuesi i vogël sot më shumë se kurrë ka nevojë për letërsi te mirëfillte fëmijërore, që i përket kohës së tyre. “Në këtë epoke digjitale, krijuesi i letërsisë për fëmijë, duhet të dijë si ta bëjë për vete lexuesin e vogël, si ta puqë me librin, që nuk është shumë e lehtë, por që më pastaj, do të jetë pikërisht ky krijues, që ai fëmijë nuk do t`i ndahet kurrë librit. Kriteri i parë është që syzheu, ose përmbajtja e një historie të jetë i paketuar sa më mirë, informacioni të arrijë sa më shpejt te lexuesi, gjithmonë nga këndvështrimi i fëmijës, dhe të jetë e gërshetuar me nota moderne të kohës”, thotë Jonuzi. (koha.mk)