“Apelojmë te qytetarët që ujin ta shfrytëzojnë për pije, për mirëmbajtje të higjienës dhe kjo do të ndikojë shumë që mos kemi restrikcione të ujit të pijshëm dhe furnizim normal për të gjithë qytetarët e Tetovës me ujë”, thonë nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova
Urim HASIPI
Tetovë, 8 gusht – Gjatë periudhës së verës, rritet në mënyrë enorme përdorimi i ujit të pijshëm në Tetovë. Me këtë rast, paraqitet edhe fenomeni i keqpërdorimeve të ujit apo shfrytëzimi joracional. Prandaj, nga ana e Ndërmarrjes Publike Komunale kërkojnë nga qytetarët të mos e keqpërdorin ujin sidomos për larje të oborreve, larje të rrugëve dhe ujitjen e parcelave të mbjellura me prodhime bujqësore. “Rikujtojmë qytetarët se çdo pikë ujë e keqpërdorur mund të shkaktojë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm për qytetarët tjerë. Apelojmë te qytetarët që ujin ta shfrytëzojnë për pije, për mirëmbajtje të higjienës dhe kjo do të ndikojë shumë që mos kemi restrikcione të ujit të pijshëm dhe furnizim normal për të gjithë qytetarët e Tetovës me ujë”, thonë nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova.
Nga kjo ndërmarrje theksojnë se momentalisht, nuk ka vend për panik dhe shqetësime, sepse furnizimi me ujë nga burimet mjafton për të përmbushur nevojat elementare të qytetarëve të Tetovës. “Furnizimi me ujë është në sasi të mjaftueshme. Nga burimet e ujësjellësit të Tetovës derdhen rreth 500 litra ujë në sekondë, që është një sasi e mjaftueshme për të plotësuar nevojat e qytetarëve të Tetovës. Kjo edhe është maksimumi që mund të pranojë rrjeti i ujësjellësit për Tetovën”, njoftojnë nga ndërmarrja. Megjithatë, sikurse edhe gjatë stinëve tjera të vitit, edhe gjatë verës nuk mungojnë problemet në rrjetin shpërndarës të ujit në qytet. Prandaj shumë herë ka edhe ndërprerje të ujit për lagje të caktuara. Komuna e Tetovës një kohë të gjatë nuk është duke gjetur mjete financiare për të vendosur rrjet të ri të ujësjellësit brenda në qytet, rrjet ky që është i vjetër për rreth 60 vjet, ndërsa problem në vete është se ka shumë kyçje ilegale të cilët edhe më shumë e rëndojnë situatën.
Rrjeti shpërndarës është shumë i vjetruar dhe brenda vitit ka me qindra defekte në këtë rrjet që edhe ka kosto të lartë të mirëmbajtjes, por edhe shkakton mungesë të ujit në pjesë të ndryshme të qytetit. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, kohë më parë tha se fillimisht do të bëhet një projekt-bazë që më pas të kërkohen mjete nga fonde ndërkombëtare. Kasami është shprehur se është në kontakt me UNDP-në për të përpiluar një projekt lidhur me riparimin e rrjetit sekondar në qytetin e Tetovës, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim. Pikërisht rrjeti i vjetërsuar shpërndarës brenda në qytet ka bërë që Ndërmarrja Publike Komunale të regjistrojë brenda vitit mbi 1000 defekte, të cilët zakonisht ndodhin në gypin kryesor, respektivisht nëpër rrugët kryesore të qytetit.
Tetova ndër vite ka patur probleme me ujin e pijshëm sidomos gjatë kohës së verës, kur edhe banorët ishin të detyruar të përballen me restrikcione të ujit nga tre herë brenda ditës. Ndërkohë, sa i përket cilësisë së ujit që konsumojnë qytetarët e Tetovës, autoritetet që bëjnë inspektimin e ujit, së fundmi kanë thënë se uji i përmbush të gjithë standardet që kërkohen për cilësinë e ujit. (koha.mk)