Laura PAPRANIKU
Shkup, 8 mars – Shoqata Kulturore “Vizioni M” ka gjetur një mënyrë të veçantë dhe mjaft origjinale për të shënuar 7 Marsin – Ditën e arsimit shqip. Jo me këngë dhe valle, manifestime e programe festive, por me sensibilizimin e problemeve reale të cilat rëndojnë arsimin në gjuhën shqipe, shkruan gazeta KOHA. Ishte pikërisht dukuria e blerjes së notave, me të cilën “Vizion M” vendosi “një tjetër gur në murin” e ndërgjegjes kolektive, duke synuar të tregojnë se jo vetëm pushteti, jo vetëm politikat diskriminuese dhe mungesa e kushteve, por edhe devijimet brenda shkollave janë fajtor për gjendjen e palakmueshme në të cilën gjendet arsimi në gjuhën shqipe në Maqedoni.
Përmes projektit tanimë të njohur të tyre “Another Brick in the Wall”, guri i këtij 7 marsi vinte barabartë me moton “Nota ime – nderi im”, pasi siç thonë organizatorët e aktivitetit, synohet të vihet në spikamë një dukuri mjaft denigruese për arsimin shqip dhe shoqërinë në përgjithësi. Kjo ka të bëjë me procesin e notimit jo vetëm nëpër shkolla, por edhe në universitete, e që për fat të keq kalon pa u vërejtur nga institucionet përkatëse. Fatkeqësia më e madhe është se heshtim të gjithë dhe, me apo pa dashje, e miratojmë shit-blerjen e notës, duke u bërë bashkëfajtor në këtë devijim.
“Të nderuar nxënës dhe studentë, ne vramë lirinë tonë në momentin e intervenimit dhe blerjes së notës, në momentin e kopjimit dhe pranimit të heshtjes si mekanizëm më i thjeshtë vetëm për të kaluar një provim dhe për të marrë një notë pa meritë”, tha në fjalimin e tij të rastit, Aziz Azizi, përfaqësues i Shoqatës “Vizion M”. Ndërkaq, për profesionin shitja e notës, sipas tij, do të thotë as më pak e as më shumë se sa “ekzekutim i ndërgjegjes së tij”. Në provimin e parë që nuk e kontrolloi, në lokalin dhe ndërmjetësimin e parë ku shiti notën, profesori ekzekutoi ndërgjegjen e tij, tha Azizi, ndërsa në këtë dimension qëndron edhe shitja e librave nga ana e profesorëve si imponim për nxënësit dhe studentët. Sipas aktivistëve të “Vizion M”, të gjitha këto elemente janë gurë, respektivisht tulla të një muri të quajtur padituri kolektive. “Tullat dhe muret tregojnë frikën. Në murin e ndërtuar ne nuk u izoluam, por u mbyllëm në një rreth vicioz të vetëshkatërrimit. Ne nuk dëshiruam të jemi të ditur, por të sigurt”, është porosia që dhanë në Ditën e arsimit shqip. Aktiviteti i tyre u zhvillua në Shkollës së Mesme të Mjekësisë. në Tetovë.
Ky është viti i tretë që me projektin “Another Brick in the Wall”, “Vizionin M” i ka caktuar vetes obligim të ndihmojmë avancimin e arsimit shqip në Maqedoni, përmes formave jo kovencionale, konkretisht sensibilizimit të problemeve dhe vënies në spikamë të tyre në një ditë feste. Në vitin 2015, të inspiruar nga kënga e Pink Floyd, me të njëjtin titull përmes muzikës, artit dhe aktiviteteve të ndryshme skenike, shfaqën revoltën e rinisë për situatën e përgjithshme të arsimit dhe edukimit në vendin tonë. Temë kryesore ishim kushtet e rënda të shkollave shqipe, ndërkaq në vitin 2016 projekti u fokusua në nënçmimin dhe ofendimet që u bëhen shqiptarëve në tekstet shkollore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.