Hysen Shehu shërbente në xhaminë në Qytetin Studenti në Tiranë, por praktikonte edhe shërimin e sëmundjeve të ndryshme në banesë. Pikërisht në banesën e tij, ai regjistroi rrëfimin e nuses që vrau vjehrrën duke e helmuar me fostoksinë.
Për fshehjen e kësaj vrasjeje, si dhe për aktivitetet e kryera në banesën e tij, ai është pezulluar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, deri në momentin që Gjykata të marrë masën e lirimit nga akuzat.
Pyetur për mbajtjen e përgjegjësisë nga Komuniteti Mysliman për veprimtarinë që ushtronte në shtëpinë e tij hoxha i Xhamisë së Çollakëve, Ylli Gura thotë:
“Përgjegjësia e Komunitetit është brenda Xhamive në raport me shërbimet që japin brenda këtyre edhe besimtarët, e aspak në raport me shërbimet personale apo private që japin ata në shtëpinë e tyre. Më e mira është që aktivitete të tilla duhet të certifikohen.”
Hysen Shehu deklaroi në gjykatë se nuk ia lejonte feja të publikonte rrëfimin e besimtares, por sipas Ylli Gura “e para është shenjtëria e jetës dhe shenjtëria e privatësisë. Nuk ka në kornizën e fesë tonë moskallëzim për vepra të tilla penale. Çdo hoxhë mban përgjegjësi për çdo veprim apo mosveprim që bie ndesh me legjislacionin në fuqi.”