Mori 2 kg rërë nga plazhi, 1000 euro gjobë për turistin francez

214

Një turist francez është urdhëruar të paguajë një gjobë prej 1000 euro pasi u përpoq të fluturonte nga Sardenja me gati 2 kg rërë lokale në bagazhet e tij. Rëra e bardhë idilike e ishullit italian është e mbrojtur dhe turistët përballen me gjoba dhe madje me burg për heqjen e saj nga plazhet lokale. Personi identiteti i të cilit nuk është bërë publik u kap në aeroportin e Cagliari Elmas më 1 shtator pasi iu gjet në zotërim një shishe që përmbante 1.8 kg rërë. Një zëdhënës i Forest Rangers të ishullit tha për CNN: “Shishja u konfiskua dhe tani është në sallën tonë të operacionit, ku ne mbajmë këto sende të konfiskuara. Në fund të vitit zakonisht kemi shumë shishe rërë të akumuluara”.
Në vitin 2017, u prezantua një ligj rajonal që e bënte të paligjshme marrjen e rërës nga plazhet e Sardenjës. Gjobat variojnë midis 500 dhe 3,000 euro, në varësi të sasisë së marrë dhe nga është hequr, sipas zëdhënësit. Rregulloret u futën, tha ai, sepse incidentet po bëheshin gjithnjë e më të shpeshta dhe gjithnjë e më problematike.
Plazhet me rërë me ngjyrë “të pabesueshme”, rozë ose shumë të bardhë janë veçanërisht të shënjestruara, shtoi zëdhënësi. “Vitin e kaluar ne gjetëm një faqe në internet që shiste rërën tonë si suvenire. Është bërë një fenomen shumë i njohur këtu në Europë,” tha ai. Kontrollet janë bërë “shumë më rigoroze” gjatë tre viteve të fundit, tha ai, duke shtuar: “Sanksionet janë shumë më serioze – ne punojmë me policinë dhe ata na paralajmërojnë”. Edhe vendasit gjithashtu kontaktojnë autoritetet nëse shohin turistë që plaçkisin rërën. Vitin e kaluar, policia kapi 40 kg rërë nga një çift francez që vizitonte ishullin. Dhe një banor britanik u gjobit me më shumë se 1,000 euro në 2018, kur autoritetet zbuluan rërën e marrë nga një plazh pranë qytetit verior të Olbia.