Aventurë e re në Francë për Robert Morenon. Ish-trajnerit të Spanjës i është besuar stoli i klubit të Monacos në Ligue 1. Drejtuesit e klubit nga Principata kanë shkarkuar për herë të dytë nga detyra portugezin Leonardo Jardim për shkak të rezultateve të dobëta duke ia besuar stolin ish-ndihmësit të Luis Enriques te Barcelona, i cili bëri shumë mirë gjatë periudhës që drejtoi Spanjën si trajner i parë duke e kualifikuar La Rojan në Euro 2020 si kokë grupi.
Aktualisht Monaco ndodhet në vendin e 7-të të Ligue 1 me 28 pikë të grumbulluara, por lojtarët me peshë që klubi nga Principata ka në skuadër nuk e justifikojnë këtë pozicion dhe kjo është një nga arsyet kryesore që drejtuesit e Monacos vendosën të shkarkonin trajnerin Leonardo Jardim duke ia besuar stolin, Robert Morenos. 42-vjeçari ka firmosur me klubin francez deri në verën e vitit 2022.