Fisnik PASHOLLI
Shkup, 27 tetor – Ndërtimi vend e pavend shpesh edhe në hapësirat publike të parqeve ka shkaktuar kaos urbanistik në shtet, që si dukuri nuk shqetëson vetëm Shkupin, por edhe një pjesë të madhe të vendbanimeve urbane dhe rurale në pjesën më të madhe të Maqedonisë, shkruan gazeta KOHA.
Arkitektët komentojnë se për dallim prej më parë, kur kishte një kontroll të centralizuar të punëve ndërtimore, tani në garën për profit – shpesh anashkalohet edhe profesionalizimi dhe zëri i profesionistëve, zvogëlohen hapësirat e gjelbërta, nuk respektohen standardet për vendet e nevojshme të parkingut, ndërsa me ndërtesat e larta pengohet edhe qarkullimi i ajrit. Gjithashtu, kemi edhe rritjen e ndotjes në Shkup, si rrjedhojë e numrit në rritje të veturave të vjetra, mos-ndërtimi i tramvajit, si dhe ngrohjes me lëndë ndotëse djegëse në vend se me gaz. Arkitektët thonë se është koha e fundit për rigjenerimin gradual të hapësirës publike urbane përmes njëfarë lloj moratoriumi, ku në shumicën e vendbanimeve duhet të shqyrtohet mundësia e ndalimit të ndërtimeve, si dhe të fillohet me riparimin e gabimeve. Kjo nënkupton rimodelimin e qyteteve, në veçanti në Shkup – pasi kryeqendra mbetet tejet e ngarkuar, ndërsa urgjentisht duhet të fillohet me rimodelimin ku do të lejohet zona e ndërtimit në zona periferike, aty ku ka hapësirë ose tokë ndërtimore, si dhe të ndalohen objektet shumë të larta.
Njohësit e kësaj sfere thonë se nëse urbanizimi si shkencë nënkupton planifikim dhe rregullim të hapësirës, atëherë në praktikë – qytetarët edhe vetë mund të shohin se në tërë shtetin mungon një rend në vendbanimet e ndryshme, ka probleme me furnizimin me ujë dhe rrymë në shumë lagje, me ujërat e zeza e kështu me radhë. Arkitektët thonë se jo vetëm Shkupi, por edhe vendbanimet e tjera në Maqedoni mund të duken ndryshe, ndërsa shtojnë se qytetarët kanë bindjen se hapësira në vend si resurs kuptohet si mall për profit. Pritet që në të ardhmen, me masa të ndryshme të realizohet përqindja e ndërtimit në bazë të dendësisë së popullatës dhe infrastrukturës .
“Nevojitet të realizohen urgjentisht revizion dhe moratorium i të gjitha planeve të detajuara urbanistike. Një gjë e tillë nevojitet të ndërmerret për shkak se në të kundërtën – do të humbin shtetin. Një nga veglat apo mjetet kryesore me të cilat ndërtohet shteti është urbanizmi dhe planifikimi. Për fat të keq, tek në vitet e fundit praktikohej urbanizmi pa planifikim”, thotë për KOHA, arkitektja Dijana Mishkoviq. Sipas ekspertëve, për zgjidhjen afatgjate dhe korrigjimin e gjendjes, nevojitet të fillohet me planifikimin hapësinor ku do të definohen të gjitha qëllimet strategjike të lidhura me zhvillimin e barabartë dhe të qëndrueshëm në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë. “Së pari duhet të përgatiten planet hapësinore që do të japin informacione dhe udhëzime për përgatitjen e planeve të reja urbanistike gjenerale, dhe më tej për përgatitjen e planeve të reja të detajuara urbanistike. Kjo nuk vlen vetëm për Shkupin, por për të gjithë vendbanimet dhe tërë shtetin”, thekson Mishkoviq. Nga ana tjetër, njohësit e urbanizimit vlerësojnë se lë për të dëshiruar gjendja në Shkup, por edhe në më shumë qendra të tjera urbane në Maqedoni, çështja se sa kriteret e ndërtimit i plotësojnë kriteret minimale për mbrojtjen e shëndetit publik, mirëqenies së përgjithshme, ndriçimit, strukturës mbrojtëse nga zhurma, etj.
Andaj, thonë arkitektët, është koha e fundit për rigjenerimin gradual të hapësirës publike urbane përmes njëfarë lloj moratoriumi, ku në shumicën e vendbanimeve – urgjentisht të shqyrtohet mundësia e ndalimit të ndërtimeve, si dhe të fillohet me riparimin e gabimeve.
Në ndërkohë, partia DOM ka propozuar Ligjin për gjelbërim urban që pritet të sigurojë mbrojtje efikase të gjelbërimit ekzistues, edhe përmes ndalimit për prerjen e drunjve shumëvjeçar dhe përpunimin e obligueshëm të kadastrës të gjelbër apo regjistrit të drunjve. Njëherazi, gjelbërimi do të inkorporohet edhe në dokumentacionin e urbanizmit sipas normativave dhe standardeve të rrepta. Vlerësohet se më të gjelbërta janë qytetet e Evropës Perëndimore me 40 për qind gjelbërim. Pastaj vijnë shtetet e Evropës Lindore me 15 për qind dhe në fund janë shtetet ballkanike me më pak se 10 për qind gjelbërim. Ligji i ri parashikon vendosjen e standardit prej 25 metra katror hapësirë të gjelbër për banor tek të gjitha planet e përgjithshme urbanistike, si dhe përqindje të obligueshme të gjelbërimit në parcelën ndërtimore prej 10-30 për qind në varësi prej dedikimit dhe lokacionit. Në blloqet e ndërtuara, raporton më tej KOHA, me ligj do të imponohet kompensimi i gjelbërimit me vendosjen e rendeve të reja të drunjve dhe zhardinjerave në fasada dhe kulme. Parashikohet edhe mbrojtja e rreptë e gjelbërimit ekzistues. Me Ligjin për gjelbërim do të përcaktohen standardet dhe normativat për planifikim, projektim dhe mirëmbajtjen e gjelbërimit si dhe titullarin që do të përkujdesen për mirëmbajtjen e gjelbërimit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.