Edhe pse duket i blinduar në sulm, mediat spanjolle ofrojnë një skenar të jashtëzakonshëm, në lidhje me një efekt domino që mund të ndodhë gjatë merkatos së dimrit, për sa u përket bomberave në Europë. Nëse nga Anglia japin shanse të mëdha për transferimin e Gonzalo Higuainit te Çelsi, Alvaro Morata, pjesë e bluve londinezë, duket se është gjithmonë e më pranë Sevijës. Andaluzianët janë të interesuar për spanjollin, i cili është gjithmonë e më i pakënaqur në radhët e ishullorëve, por nëse Morata afrohet te Sevija, dikush duhet t’i bëjë vend, pavarësisht se Luis Muriel e hapi një të tillë, duke firmosur për gjashtë muaj me Fiorentinën.
Burimet nga Spanja nënvizojnë se skenari mund të jetë edhe më i gjerë se kaq në ditët e ardhshme, pasi nëse vetë Moratës i është garantuar një fanellë titullari te Sevija deri në fund të sezonit për të programuar vetëm në verë mundësinë e një blerjeje të tij, ai që duket se mund t’u thotë lamtumirë andaluzianëve është Andre Silva. Ky i fundit, i cili u huazua nga Sevija prej Milanit, e nisi mjaft mirë sezonin, po papritur humbi hierarki në skuadër dhe tashmë po luan me pikatore. Dhe duke qenë se Silva ndiqet nga Zhorzh Mendez, i njëjti menaxher i Kristiano Ronaldos dhe jo vetëm, ekziston mundësia e madhe që Juventusi të jetë ndalesa e radhës për portugezin deri në fund të sezonit.
Sigurisht që edhe pse Silva është ende në pronësi të Milanit, fakti që Sevija ka një kontratë deri në fund të sezonit me lojtarin në fjalë, është ajo që do ta drejtojë këtë operacion, prandaj nëse Juventusi pranon që t’i bëjë hapësirë Andre Silvës, sigurisht nëse fillimisht do të jetë Sevija që do të sigurojë shërbimet e Alvaro Moratës, kjo merkato dimërore mund të shkartisë shumë emra mes një grupi të vogël ekipesh. Gjithsesi, për momentin këto janë vetëm plane të artikuluara në letër, në pritje për të punuar mbi zbatimin e tyre në terren nga ana e drejtuesve të klubeve në fjalë.