Moralja dhe profesionalja e një procesi gjyqësor

Paralajmërimi se në shtator mund të vazhdojnë hetimet edhe për persona të tjerë, të përfshirë në krimin ndaj Ziadin Selës, flet për një ogur të mire. Por, vend për ekzaltim të tepruar nuk ka, përderisa të mos pritet se si po përfundojnë procedurat e ankimimit

 

Nga Emin AZEMI

Gjykata Penale e Shkupit dënoi me 82 vite burg shtatë të akuzuarit kryesor për “tentim vrasjen” e deputetit Ziadin Sela. Ky proces gjyqësor që filloi në fund të janarit të këtij viti, do të duhej kualifikuar si më objektiv në ndarjen e drejtësisë, prej se ekziston Maqedonia si shtet i pavarur. Do të ketë edhe disa procedura ankimimi që ky proces të jetë i plotfuqishëm, por sido që të jetë, objektiviteti gjyqësor nuk mund të mungojë kur ekziston vullnet dhe profesionalizëm. Gjykimet e deritanishme, sidomos disa më skandalozet ku ishin të përfshirë shqiptarë, ishin faqja e zezë e sistemit të drejtësisë dhe Maqedonia në shumë raporte ndërkombëtare përmendej jo pa arsye për njëanshmëri dhe abuzim në proceset gjyqësore.
Gjykimi i së enjtes që kishte për protagonist të dëmtuarin Ziadin Sela, përveç dimensionit juridik, ka edhe atë moral. Një politikan që goditet aq brutalisht në vendin e tij të punës, nuk mund të mos ndjehej i lënduar dy herë sikur gjyqësia të mos vepronte. Deputeti Sela dhe shumë kolegë të tjerë që u ndodhën atë natë kritike të 27 prillit, të vitit të kaluar, nën breshërinë e goditjeve barbare të rrugaçëve që kishin sulmuar Kuvendin, do të duhej të bëjnë një sublimim fillestar të ndryshimeve që ndodhën pas ndërrimit të pushteteve. Gjyqësia as në të ardhmen nuk duhet të jetë nën ndikimin e politikës, por kur një politikan sulmohet brutalisht, ai duhet mbrojtur nga drejtësia, e cila vetëm e paanshme dhe profesionale mund të dekurajojë të gjithë shkelësit e ligjit.
Ka edhe shumë punë për t’u bërë që sistemi i gjyqësisë në Maqedoni të lirohet plotësisht nga nebulozat dhe abuzimet. Se sa është i rëndësishëm për një shtet sistemi i drejtësisë, flet fakti se në çdo raport të rëndësishëm të institucioneve ndërkombëtare financiare, përmendet edhe domosdoshmëria e pavarësimit të gjyqësorit, si kusht për investime të huaja.
Edhe procesi i fundit që kishte të bënte me krimin e ushtruar ndaj deputetit dhe liderit Ziadin Sela, është një shkëndijë e vogël që mjafton të hedhë dritë në rrugët e errëta të sistemit të drejtësisë në këtë vend. Ky proces mund të shërbejë edhe si vijë e kuqe që ndan praktikat gjyqësore në përvoja – njëra që kishte të bënte me një gjyqësor që bazohej mbi montime skandaloze dhe tjera që pritet të ndodhë. Një shoqëri nuk mund të quhet e lirë dhe e barabartë nëse gjyqësori është vegël e zgjatur e politikës dhe ndikimeve joformale të grupeve të caktuara të interesit. Ajo që trumbetohet si rrugëtim drejt Europës, nuk mund të ndodhë nëse gjyqësori nuk lirohet nga praktikat dhe përvojat e së kaluarës. Fizionomia e një shoqërie europaine mund të jetë e dinjitetshme vetëm nëse padrejtësitë dhe abuzimet që iu bëhen qytetarëve marrin një epilog pozitiv nga gjykatat. Vetëm me qytetarë të mbrojtur nga shkelësit e ligjit, mund të pretendohet për një shoqëri të hapur, e cila nesër mund të jetë dhe pjesë e Europës së bashkuar. Jo se në qytetet europiane aktualisht nuk ekzistojnë gjykata të përkryera që nuk gabojnë asnjëherë gjatë punës së tyre, por mekanizmi i vendosjes së drejtësisë atje ndjek një logjikë të liruar nga konjukturat politike e burokratike, siç mund të jetë aktualisht te ne.

Paralajmërimi se në shtator mund të vazhdojnë hetimet edhe për persona të tjerë, të përfshirë në krimin ndaj Ziadin Selës, flet për një ogur të mire. Por, vend për ekzaltim të tepruar nuk ka, përderisa të mos pritet se si po përfundojnë procedurat e ankimimit. (koha.mk)