Një pohim tjetër që rrjedh nga presupozimi i gjenezës hyjnore të moralit është se ata që nuk besojnë në Zot – nuk janë të besueshëm, nuk janë, pra, të moralshëm. Duke qenë se ky pohim ngrihet mbi një pohim tjetër fals, asgjë e vërtetë nuk rezulton nga pohimi i dytë: në fakt po të ishte ky pohim i vërtetë, së paku gjysma e njerëzimit duhet të deklarohet i pamoralshëm…
Nga Sead ZIMERI
Morali dhe feja përbëjnë dy qëndrime/raporte të ndryshme të marrëdhënieve të njeriut me dy botë të ndryshme. Feja rregullon marrëdhëniet e njeriut me Zotin dhe implikimet që rrjedhin nga ky raport, të cilat janë marrëdhënie etike, por që qëndrojnë në marrëdhënie dytësore me fenë. Feja krijon dhe rregullon një raport vertikal, pavarësisht statusit ontologjik të këtij raporti, mes njeriut dhe Zotit. Morali, në anën tjetër, merret ekskluzivisht me rregullimin e marrëdhënieve reale horizontale të njerëzve ndërmjet tyre.
Ç’do të thotë kjo praktikisht? Morali qëndron ndarazi nga feja, është i pavarur prej saj dhe nuk fundamentohet në të. Përderisa feja dhe morali bashkëveprojnë, ato bashkëveprojnë vetëm nën aspektin primar të moralit dhe dytësor të fesë. Me një fjalë, në sferën e rregullimit të marrëdhënieve njerëzore, pohimet e fesë janë detyrimisht dytësore në raport me ato të moralit; janë pohime morale që i shtron feja.
Jo vetëm që morali nuk fundamentohet në fe dhe nuk rrjedh nga feja, por përpjekjet për ta bërë një gjë të tillë përherë abstragojnë nga marrëdhëniet partikulare të ndonjë epoke historike për të bërë më pas universalizimin e tyre transhistorik mbi të gjitha format dhe strukturat shoqërore të mbështetura në modele ekonomike të ndryshme.
Një pohim tjetër që rrjedh nga presupozimi i gjenezës hyjnore të moralit është se ata që nuk besojnë në Zot – nuk janë të besueshëm, nuk janë, pra, të moralshëm. Duke qenë se ky pohim ngrihet mbi një pohim tjetër fals, asgjë e vërtetë nuk rezulton nga pohimi i dytë: në fakt po të ishte ky pohim i vërtetë, së paku gjysma e njerëzimit duhet të deklarohet i pamoralshëm, sepse ata/ato ose nuk besojnë në Zotin e monoteistëve ose nuk besojnë në asnjë Zot, ose besojnë në shumë zotëra. Kjo përbën një problem të patejkalueshëm për pohimet e origjinës hyjnore te moralit, sepse si është e mundur që njerëzit e këtillë megjithatë kanë sjellje shembullore morale?
Nuk besojnë në Zot, nuk besojnë në ndëshkime të botës tjetër apo shpërblime në parajsë, pra nuk besojnë as në gjenezën dhe as në natyrën hyjnore të moralit, por, megjithatë, janë po aq, në mos më tepër, të moralshëm sa edhe ata që besojnë se morali ka origjinë hyjnore, se ne vetvetiu nuk do të dinim të bënim dallimin mes të mirës e të keqes dhe se pa një lloj sanksionimi ndëshkimor apo premtimi për shpërblim hyjnor në këtë apo atë botë, morali do të dështonte ta kryente misionin e tij të rregullimit të marrëdhënieve njerëzore.